Mbrëmje magjike: City apo Barcelona?

Sonte Champions Leauge vjen me dy ndeshje shumë interesante, që llogariten edhe si dy sfidat kryesore të një të 16-tës së finales. Në “El Etihad”, Manchester City e pret Barcelonën për t’iu hakmarrë për eliminimin e vitit të kaluar, në ndeshjen ku skuadrat vijnë pas momenteve të ndryshme nëpër kampionatet përkatëse, transmeton Gazeta Olle.

Atmosfera në kampin e ‘qytetarëve’ është shumë e mirë, sidomos pas fitores 5:0 ndaj Newcastlet në Premierligë. Këtë nuk e mohon trajneri Manuel Pellegrini, i cili tregon se për çka duhet të luftojnë futbollistët e tij në fushë.

“Mendoj që duhet të luftojmë për posedimin e topit, kjo është shumë e rëndësishme për ne. Do të provojmë që të fitojmë sepse mendoj që skuadra po luan më mirë se vitin e kaluar”, deklaroi Pellegrini në konferencën për shtyp.

Te Barcelona preferojnë ta heqin presionin e fitores, me trajnerin Luis Enrique që thotë se në këtë ndeshje nuk ka favoritë.

“Nuk mendoj që në këtë ndeshje do të ketë favoritë. Është e rrezikshme të flasësh për favoritë në Champipons League. Ju duhet ta demonstroni veten në fushën e lojës. Jemi optimist për një rezultat pozitiv”, theksoi trajneri spanjoll.

Ajo që brengos te katalunasit pos humbjes shokuese nga Malaga në fundjavë, është se dy futbollistët, Lionel Messi dhe Gerrard Pique, janë parë duke dalë nga një kazino në Angli, dy natë para takimit ndaj Cityt.  /Gazeta Olle