Mazrekaj përplaset me tifozët

Që Partizani nuk është i qetë në këtë fundsezoni s’do shumë sqarime, pasi flet vetë situata e krijuar në kampin e kuq. Tensioni më i fundit u regjistrua të shtunën pas ndeshjes me Kukësin, ku disa tifozë debatuan në distancë me mesfushorin Mentor Mazrekaj.

26-vjeçari ishte i vetmi që u zëvendësua në këtë ndeshje nga trajneri Shpëtim Duro.

Të shtunën pritej që Partizani të mposhte Kukësin dhe të vijonte betejën për fitimin e titullit kampion. Pas humbjes turpëruese në Korçë, “demat” nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 me Kukësin. Ky rezultat i ka venitur shpresat e kryeqytetasve për titull. Si zakonisht pas çdo ndeshje që luhet në kryeqytet, një grup ultrasish dhe adhuruesish të Partizanit afrohen te porta e stadiumit për të përshëndetur lojtarët. Kjo gjë ka ndodhur edhe pas takimit të së shtunës me Kukësin. Tifozët kanë takuar lojtarët që dilnin, teksa nuk kanë munguar edhe nga ata që kanë kërkuar autografe nga futbollistët.

Por, në momentin kur nga stadiumi ka dalë Mentor Mazrekaj, një nga tifozët ka lëshuar një fjalë si kërkesë llogarie ndaj mesfushorit për paraqitjen në fushë. Kjo nuk është pritur mirë nga lojtari dhe në distancë ka pasur një debat mes palëve, ku nuk kanë munguar edhe tonet e larta. Situata nuk ka agravuar, kjo falë ndërhyrjes së Lorenc Trashit, i cili ka qenë pranë dhe ka qetësuar palët duke kërkuar mirëkuptimin e tyre, pasi edhe ekipi po e vuante mungesën e fitores ndaj kuksianëve. Mentor Mazrekaj ka treguar në dy sezonet e fundit se është një lojtar me potencial të admirueshëm dhe këtë edicion ka dhuruar shumë paraqitje pozitive, kryesisht në përballjet derbi. Por, në javët e fundit, lojtari nuk ka qenë në nivelin që kërkojnë tifozët edhe për shkakun se pas dëmtimit në derbin e fundit ende nuk e ka arritur gjendjen e mëparshme.

Ndaj Kukësit, trajneri Shpëtim Duro e planifikoi zëvendësimin e Mazrekajt që në minutën e 15-të, kur nxori në nxehmje Astrit Fazliun. Gjithsesi, i dha mundësi mesfushorit të luante deri në minutën e 76- të, kur rezultati shkoi në 1-1./Panoroama-sport