Mayweather mbetet me gishta në gojë

Floyd Mayweather mposhti më 2 maj Manny Pacquiaon në të ashtuquajturën “betejë të shekullit”, duke fituar titullin e kampionit të botës në kategorinë WBO. Por, tashmë boksierit amerikan i është hequr ky titull.

Duke qenë se WBO nuk lejon që boksierët të mbajnë titujt në kategori të ndryshme të peshave, ai në datën 3 korrik duhet të dorëzonte titujt e tij të mëparshëm ose në të kundërt të paguante një tarifë prej 200 mijë dollarësh. Por Floyd Mayweather nuk zgjodhi të bëjë as njërën dhe as tjetrën e për këtë arsye federata ka lëshuar njoftimin për vendimin e marrë, duke i hequr titullin.

Duket e pabesueshme se si boksieri, i cili u zgjodh edhe si sportisti më i pasur në botë, nuk pagoi 200 mijë euro, kur ai nga ndeshja e 2 majit arriti të fitonte 220 milionë dollarë.

 

Mayweather ka 14 ditë afat për t’u ankuar për vendimin, por kjo nuk pritet që të ndryshojë edhe nëse ankohet. Ai ka fituar 11 tituj botërorë në 5 kategori gjatë karrierës së tij 19-vjeçare.