Mavraj lëndohet rëndë, mungon deri në 5 muaj

Dëmtim i rëndë për Mërgim Mavrajn. Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare ka pësuar një dëmtim të rëndë në Gjermani me Kolnin i cili rrezikon ta mbajë për plot 5 muaj larg fushës së blertë, shkruan SuperSport.

Është ky një lajm shokues jo vetëm për mbrojtësin që, por edhe për trajnerin e Kombëtares Gianni De Biassi, i cili me shumë mundësi nuk do ta ketë qendëmbrojtësin në ndeshjet vendimtare të këtij edicioni ku Shqipëria luan shanset e saj për t’u kualifikuar për herë të parë në një kompeticion madhor siç është kampionati Europian Francë 2016.

Përveç takimit të 13 qershorit me Francën i cili nuk do të kete vlerë për sa i përket llogarive të pikëve në Grupin I, Shqipëria do të luajë në 4 shtator një ndeshje vendimtare me Danimarkën,  pas vetëm 3 ditësh pret në Tiranë Portugalinë, 8 tetori është një datë për t’u shënuar me të kuqe pasi do të jetë dita e përballjes në shtëpi me Serbinë, dhe gjithçka mbyllet me udhëtimin në Armeni për ndeshjen e 11 tetorit.

Përtej llogarive të ftohta për Kombëtaren që rrezikon të humbasë kështu një ndër pikat kryesore të referimit në mbrojtje, lajmi i dëmtimit për Mavrajn është vërtet trishtues.

Qendëmbroijtësi është shndërruar prej kohësh në benjaminin e tifozerisë Kuq e Zi, falë edhe sakrificës së tij në ndeshjen e “Elbasan Arenas” me Armeninë ku u fut në fushë dhe shënoi duke sakrifikuar pasi luajti pa u rikuperuar ende nga një dëmtim që nëse rëndohej rrezikonte t’i mbyllte karrierën.