Masivizimi i video-lojës “Blur”, mbahen turnire të ndryshme në Kosovë

Përpos garave të shumta që mbahen në Kosovë me video-lojërat FIFA e Counter Strike, në qytete të ndryshme po mbahen edhe turnire në video-lojën me makina, Blur.

Bëhet fjalë për një video-lojë për gara automobilistike, e prodhuar më 2010 nga kompania britanike “Bizarre Creations”, që ka gjetur një pëlqyeshmëri të madhe te adhuruesit e video-lojërave nëpër botë.

Kohët e fundit janë organizuar katër evenimente të tilla në Prishtinë, Prizren, Podujevë e Suharekë, ku dyshja Ideal Vogli – Shefqet Kasumaj, ishte më e dalluara duke triumfuar bindshëm.

Gara të tilla mbahen shpesh edhe në lokalin e ish-futbollistit të njohur kosovar, Roland Durakut, në Gjakovë.

Ndryshe, kujtojmë që ish-mbrojtësi që ka fituar titullin kampion me Besën dhe Kupën e Kosovës me Vëllaznimin, ka migruar në Gjermani prej vitesh. Ai vjen nga një familje sportistësh, ku edhe dy vëllezërit e tij kanë qenë futbollistë, Emin dhe Shpëtim Duraku.