“Marrja e 9 pikëve deri te largimi nga rangu i garave” – çfarë thotë Rregullorja Disiplinore e FFK-së ata që kurdisin ndeshje

Ndeshja në mes të Ulpianës dhe Vllaznisë së Pozheranit në Ligën e Parë Grupi B ishte mbyllur me rezultat 4-3 në të mirë të mysafirëve, por sot është anuluar, pasi sipas Komisionit të Garave ajo ka qenë e kurdisur.

Kështu thuhet në vendimin për këtë ndeshje, teksa përballja do të regjistrohet si ndeshje e luajtur, por pikët dhe golat nuk do të regjistrohen.

Përballja Ulpiana-Vllaznia ngjalli shumë polemika fundjavën e kaluar, me mënyrën se si Vllaznia shënoi golat, ku pozharanasit fituan ndeshjen 4-3 edhe pse pas pjesës së parë ishin duke pësuar humbje.

Tashmë dihen se cilët futbollistë dhe zyrtarë të klubeve, dyshohet se e kurdisën ndeshjen dhe këtë e ka konfirmuar Komisioni i Garave.

“Ndaj klubit të Ulpianës, ndaj personit zyrtar të Ulpianës, Meriton Isufi, ndaj lojtarëve, Ridon Llugiqi, Gentian Emini, Samet Rexhepi, ndaj klubit të Vllaznisë dhe ndaj personit zyrtar të Vallaznisë, Agron Pira”, shkruan në njoftim e Komisionit të Garave të FFK-së.

Por çfarë thotë Rregullorja Disiplinore për ata që kurdisin ndeshje?

Cytja, mitosja, marrëveshja dhe kurdisja e rezultatit janë pjesë e Rregullores Disiplinore të FFK-së, të cilat sanksionohen në nenin 60.

Lojtari që është pjesëmarrës në kurdisje mund të dënohet nga 3 muaj deri në 1 vit, ndërsa parashihet edhe dënimi me tëholla nga 500 deri në 2000 euro.

Për zyrtarin e klubit dhe anëtarin e udhë-heqësisë së futbollit parashihet dënim prej 1 deri në 2 vite.

Sa i përket klubeve dënimin shkon nga marrja e 9 pikëve, deri te largimi nga rangu përkatës i garave. Dënimi me të holla për klubet shkon nga 1 mijë deri në 10 mijë euro.

Zhurma e madhe rreth kësaj ndeshje u krijua pasi që klube si Flamurtari, 2 Korriku dhe Kika u ankuan për këtë ndeshje.

Në ditët në vijim pritet edhe dënime të tjera, si për klubet ashtu edhe për pjesëmarrësit në kurdisjen e kësaj ndeshje.

FFK nxjerr emrat e atyre që janë të dyshuar për kurdisjen e ndeshjes Ulpiana – Vllaznia

Ulpiana dhe Vllaznia hedhin poshtë deklaratën e FFK-së: Nuk e kurdisëm ndeshjen, po mbrohen klubet tjera