Rrëfimi i Florian Markut për Gazetën Olle – Planet për vitin 2022, meçi në Tiranë dhe mesazhi për fansat e shumtë

Boksieri shqiptar, Florian Marku e mbylli për mrekulli vitin 2021, ku si i pamposhtur fitoi titullin në IBF në kategorinë ‘welterweight’, e më pas e mbrojti atë në nëntor, ku edhe ishte ndeshja e fundit e tij për vitin 2021.

Marku tashmë është bërë i famshëm në tërë Evropën me stilin e tij të veçantë, dhe çka e dallon nga boksierët e tjerë është përkrahja e madhe nga fansat shqiptarë nga e gjithë bota.

Në një intervistë për “Gazeta Olle”, Florian Marku foli për planet e tij në vitin 2022, duke theksuar se gjatë verës po planifikon një luftë në Shqipëri.

“Planet për 2022 janë akoma dhe më të mëdha, dua të zhvilloj katër ndeshje, njëra nga këto në atdhe – dhe të fitoj sa më shumë tituj”, tha fillimisht Marku.

Tutje, ‘Mbreti Shqiptar’ tregoi se kur dëshiron ta zhvillojë këtë luftë në Shqipëri.

“Kam dëshirë të zhvillohet në gusht, jemi në diskutime e sipër për në Tiranë”.

Kujtojmë se Marku e filloi karrierën e tij në MMA, para se të vazhdonte të fokusohej vetëm në boks.

Suksesi padyshim se nuk i mungoi as në artet marciale, por në pyetjen nga “Olle” nëse do të rikthehej përsëri në atë sport, përgjigja e kampionit shqiptar ishte kategorikisht – jo.

“Jo kurrë.. tani kam tjetër synim dhe jam 100% i perkushtuar te boksi”, vazhdoi ai.

Në fund, boksieri i njohur shqiptar falënderoi përzemërsisht fansat e tij, dhe thotë se mezi pret t’i shoh të gjithë të mbledhur në ndeshjen e madhe në Shqipëri.

“I falënderoj nga zemra fansat, janë te veçantë më perkrahjen e tyre kudo që jam ndeshur, mezi pres të ndeshem në Shqipëri te stadiumi i futbollit dhe t’i shoh të gjithë të mbledhur”, përfundoi Marku për “Olle”.

Kujtojmë se ‘Albanian King’ ëndërron prej kohësh për një super përballje në Shqipëri, dhe si duket ëndrra e tij do të realizohet në vitin 2022. /Gazeta Olle/

Kampionët vazhdojnë me fitore, mposhtin Bashkimin

Skandal në ndeshjen e La Ligas, ndërpritet ndeshja pasi lojtari goditet me shufër në kokë (VIDEO)