Mario Mandzukic i lumtur për transferimin tek Milani

Ish-reprezentuesi i Kroacisë, Mario Mandzukic, ka thënë se është shumë i lumtur që është transferuar te klubi i madh italian, Milan. Sulmuesi kroat iu bashkua gjigantit të Serie A me kontratë deri në fund të sezonit.

Mandzukic u zgjodh nga lideri i elitës së futbollit italian ani pse nuk ka luajtur tash e gjashtë muaj. Ai në korrik e shkëputi kontratën me skuadrën Al-Duhail në Katar Stars League, me marrëveshje të dyanshme.

34-vjeçari Manxhukiq është katër herë fitues i Scudettos me Juventusin, ndërsa tani fazën e sulmit te “kuqezinjtë” pritet ta krijojë bashkë me 39-vjeçarin Zlatan Ibrahimoviq.

Kroati në të kaluarën karrierë ka bërë edhe te Bayern Munichu, Atletico Madridi, Wolfsburgu, NK Zagrebi e Dinamo Zagrebi, si dhe te Marsonia, ku edhe e nisi karrierën.