Maqkaj i gatshëm ta përfaqësojë Kosovën, tregon se janë në kontakte me FFK-në

Maqkaj, 18 vjeç, e ka përfaqësuar Gjermaninë U18 në katër ndeshje, është në pritje të kalimit në ekipin senior të Frankfurtit pasi ka kaluar nëpër të gjitha nivelet si lojtar i akademisë së klubit.

Ai ka një takim të caktuar për muajin shtator me Federatën e Futbollit të Kosovës për të ndërruar aleancë dhe për t’u bërë pjesë e verdhekaltërve.

“Po, kemi pasur kontakte dhe ne vazhdojmë të jemi në kontakte. E kemi lërë që në shtator të takohemi prapë me FFK-në”, tha Idajet, babai i futbollistit për Nacionale.

Tashmë nuk është sekrete që FFK pak a shumë ka ndryshuar planin, duke u interesuar më shumë për afrimin e talentëve të rinj qysh nga kategoritë e hershme.

Lojtarë të shumtë këto dy vitet e fundit kanë hedhur poshtë mundësinë të luajnë për Kosovën, siç është rasti i Andi Zeqirit, Bastien Tomas, Mërgim Berisha, Kemal Ademi, Elvis Rexhbecaj (me këtë të fundit negociatat vazhdojnë), me shpresën që të marrin ftesë nga kombëtare si Zvicra dhe Gjermania.

Duke marrë parasysh këto ‘refuzime’, disa nga të lartpërmendurit edhe kanë pas nënshkruar parakontratë që të vijnë te Kosova, por nuk është që e mbajtën fjalën e dhënë.

Kështu, FFK ka nisur të sigurojë talentë të moshave të reja, siç ishte rasti i fundit me Drini Miftarin, 18-vjeçari i Kaiserslautern që do të luajë për Kosovën U19.

Këtë rrugë pritet ta ndjek edhe talenti tjetër, Dritan Maqkaj. Futbollisti i Eintracht Frankfurt që është duke punuar që të fitojë kontratën e parë profesionale me klubin gjerman, do të takohet me FFK-në në muajin shtator, ku do të diskutohet ndryshimi i kombëtares.

Babai i tij ka konfirmuar se ka dëshirë që të vijë te Kosova, por fillimisht prioritet është fitimi i një kontratë profesionale te gjiganti gjerman pasi sipas tij “pa kontratë nuk mundet me i ndihmu Kosovës”.

“Po (ka interesim), por njëherë është i fokusuar që të fitojë kontratën e parë profesionale. Po synon që deri në fund të vitit ta marrë kontratën. Pa kontratë profesionale, nuk mundet me i ndihmu Kosovës”.

Maqkaj që luan zakonisht në pozitën e anësorit të majtë, di të luajë edhe si mbrojtës i krahut i majtë ose anësor i djathtë. Ai ka kontratë me Eintracht Frankfurtin U19 deri më 30 qershor 2022, derisa së fundmi rinovoi me 2 mars 2022.

Sulmuesi i krahut gjithashtu ka zhvilluar katër ndeshje për kombëtaren e Gjermanisë U18, duke realizuar një gol. Debutimin në fanellën gjermane e bëri më 15 nëntor 2021.

Ekskluzive: Arbnor Muja nesër udhëton drejt Belgjikës për testet mjekësore te Antwerpi

Drita skuadra më e vlefshme në Superligën e Kosovës, me moshën mesatare 24.0