Maqedonia trondit merkaton ballkanike, lojtarë nga Kosova dhe katër vende tjera nuk janë më të huaj

Federata e Futbollit në Maqedoninë e Veriut ka ndërmarrë një inciativë të re sa i përket merkatos së futbollistëve të huaj për klubet e futbollit në shtetin fqinj. Inciativa është thuajse e ngjashme me atë që ndërmori Shqipëria para disa viteve, por maqedonasit e kanë shtrirë diapazonin e shteteve ballkanike, ku futbollistët e të cilëve nuk do të njihen si të huaj në Maqedoninë e Veriut.

Padyshim që ky vendim i mundshëm i Federatës së Futbollit në Maqedoninë e Veriut do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në merkaton e klubeve në Kosovë.

Siç raporton “open-tv”, merkatoja dimërore për klubet e futbollit në Maqedoninë e Veriut hapet të hënën, më 15 janar, dhe tashmë po punohet shumë për realizimin e iniciativës, që futbollistët e vendeve të rajonit të mos trajtohen si të huaj në Maqedoni. FFM-ja, në konsultim me organet kompetente lidhur me ligjet e marrëdhënieve të punës, është në kërkim të mënyrës që kjo kërkesë të realizohet sa më shpejt dhe me iniciativën e lojtarëve të Ligës së Parë, të cilët kanë pasur një takim me presidentin Muhamed Sejdini para Vitit të Ri.

Sipas njoftimeve, lojtarët nga Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia nuk do të konsiderohen si të huaj në vend. Një njoftim i tillë është i pritshëm dhe një lloj reciprociteti, duke qenë se në vendet e përmendura futbollistët nga Maqedonia e Veriut tashmë prej disa vitesh luajnë si lojtarë vendor.

Për momentin, çdo skuadër e Ligës së Parë në Maqedoninë e Veriut ka të drejtën e 4 lojtarëve të huaj pa paguar kuota regjistrimi në FFM, dhe ka mundësi për 4 të huaj shtesë, por për secilin paguhet nga 5000 euro deri në 20000 euro për të tetin.

Një vendim i tillë do të ishte shpëtim për disa klube, dhe realiteti është se shumica e lojtarëve ndërkombëtarë që luajnë për klubet në Maqedoni janë nga vendet e përmendura. Nga ana tjetër, do të reduktohej fondi që paguhet për shumicën e të huajve, fond që ishte menduar për zhvillimin e futbollit të të rinjve në vend. /Gazeta Olle/

Malisheva e përfundon kampin stërvitor, gjithçka gati për stinorin e ri

Vëllaznimi kthehet te fitorja, mposht Prizrenin me rezultat bindës