Mancini-Shaqiri, kjo dashuri në ‘shikim të parë’

Interi i Roberto Mancinit ka shumë arsye për të kërkuar fitoren me Cagliarin në transfertë, që lidhen sigurisht me objektivat në kampionat, por edhe për të krijuar një vazhdimësi në rezultate në Serie A.

Për herë të fundit zikaltërit kanë mundur të regjistrojnë 3 fitore të njëpasnjëshme në epokën “Stramacioni”, ndaj Mancini e ka të qartë se një trepikësh në “Sant Elia” mund të rezultojë shumë i rëndësishëm për zonën europiane.

“Në këtë stadium të gjitha skuadrat e kanë shumë të vështirë për të marrë fitoren, por ne kemi shumë shpresë se do të mund të arrijmë fitoren e tretë radhazi në Serie A. Por kjo mund të ndodhë vetëm nëse bëjmë një paraqitje të mirë në fazën mbrojtëse”, është shprehur Mancini.

Xherdan Shaqiri mbetet i padiskutueshëm në formacionin zikaltër, ndërsa për Kovaçiç do të vendoset në momentin e fundit.

“Shaqiri po përmirësohet shumë fizikisht dhe të mos harrojmë që vjen nga Bayer Munchen, ka shumë cilësi dhe eksperiencë. Në pozicionin ku luan po bën shumë mirë, por aktivizimi i tij nuk përjashton hedhjen në fushë të Kovaçiç dhe Hernanes. Kjo skuadër ka nevojë për shumë titullarë. Pasi të vlerësoj gjendjen e gjithsecilit do të vendos për formacionin titullar”, ka shtuar tekniku i Interit.