Mancini nuk mund t’i fsheh emocionet e triumfit: Nuk kam fjalë për këta futbollistë

Roberto Mancini arriti të triumfonte me Italinë në finale të Euro 2020, duke mposhtur Anglinë vetëm pas penalltive.

Azzurët arritën të dërgonin ndeshjen në vazhdime, duke shënuar golin e barazimit 1-1 në pjesën e dytë, e që takimi më pas shkoi edhe në penallti, aty ku shënuan tre, për dallim nga Tre Luanët që realizuan vetëm dy herë.

Mancini pas ndeshjes ka ngritur në qiellin e shtatë lojtarët e Italisë, duke thënë se e kanë merituar plotësisht dhe se ishin fantastik gjatë gjithë kampionatit.

‘’Djemtë ishin të mrekullueshëm. Ky triumf ishte shumë i rëndësishëm për të gjithë italianët dhe të gjithë tifozët tanë. Jemi shumë të kënaqur. Shpresoj të festojnë dhe në rrugë. Jam shumë i kënaqur me këta djem”, ka deklaruar trajneri i Italisë.

“Nuk kam fjalë për ta, ky është një grup i mrekullueshëm. Ndeshja u bë shumë e vështirë për shkak të rrjedhës që mori, por pastaj ne dominuam”.

“Pastaj në penallti duhet të keni pak fat dhe më vjen keq edhe për anglezët. Ekipi është rritur shumë, unë mendoj se si mund të përmirësohemi akoma”.

“Përqafimi me Vialin? Me Vialin është një miqësi që shkon përtej gjithçkaje sepse dhe kur luanim te Sampdoria shkoi përtej gjithçkaje. Ky është një cikël i mbyllur”, ka shtuar më tej Mancini.

Italia e fitoi mbrëmë trofeun e dytë në histori të tyre, e që ky ishte i veçantë pasi e fituan në Wembley. /Telegrafi/

Southgate i dëshpëruar me humbjen, por krenar me lojtarët e tij

Bonucci thumbon Ronaldon, pi birrë dhe Coca-Cola në konferencë për shtyp