Malisheva – Befasia në Superligë: Thaqi zbulon ‘sekretin’ e rezultateve pozitive, synimet dhe rivalët për titull

Malisheva këtë edicion të Superligës së Kosovës ka qenë befasia më e mirë.

 

Edhe pse është vetëm hera e parë në histori të klubit që janë pjesë e kampionatit kosovar, Malisheva në krye me trajnerin Arsim Thaqi ka mahnitur të gjithë.

Thaqi në një intervistë për lajmi.net, foli për këtë fillim të mrekullueshëm, synimet, rivalët dhe përforcimet e mundshme.

Fillimisht, tekniku malishevas tha se është i kënaqur me këtë start, por beson që do arkëtonin më shumë pikë sikur të ishin pak më të vëmendshëm.

“Fillimi i kampionatit është i kënaqshëm. Më pak kujdes ndoshta do kishim edhe më shumë pikë, mirëpo jam i kënaqur deri tani me këtë fillim”.

Sipas trajnerit, sekreti i rezultateve pozitive ndaj favoritët për titull dhe skuadrave të tjera është bashkëpunimi i madh në grup, derisa lavdëroi edhe punën e kryesisë dhe presidentit që ishin korrekt në pagesa.

“Sekreti i këtyre rezultateve, mendoj që është puna në grup që e bëjmë bashkë me lojtarët dhe stafin, gjithashtu kryesia e klubit dhe presidenti kanë qenë maksimalisht korrekt sa i përket pagesave”.

Pavarësisht që shihet si një skuadër shumë e fortë, Thaqi thotë se Malisheva nuk është në garë për titull këtë vit.

“Malisheva nuk është kandidat për titull. Malisheva këtë vit i duhet të punojë në drejtimin e krijimit të përvojës në organizim dhe eksperiencë. Sa i përket garimit në nivelin e Superligës, jemi duke punuar në riorganizimin e akademisë së futbollit dhe rreth infrastrukturës”.

Objektivi kryesor i skuadrës për këtë edicion është vetëm mbetja në Superligën e Kosovës.

“Objektivi kryesor i FC Malishevës këtë vit është mbetja në Superligën e futbollit të Kosovës”.

Tutje, Thaqi zbuloi edhe kandidatët kryesorë për titull, ku u shpreh se katër skuadra janë duke ‘luftuar’ që të shpallen kampion.

“Rival për titull mendoj që janë: Ballkani, Gjilani, Drita dhe Prishtina”.

Në fund, kryetrajneri konfirmoi se për përforcime në skuadër do mendojnë në fund të sezonit.

“Për përforcimet besoj që do të shikojmë në fund të kësaj sezone”, deklaroi ai për lajmi.net.

Ndërkohë, pas tetë xhirove të zhvilluar, Malisheva zë pozitën e katërt në tabelë me 12 pikë, vetëm katër më pak se lideri Ballkani.

Sulmuesi i njohur del hapur: Jam infektuar dy herë me Covid, por nuk vaksinohem

U dëmtua rëndë ndaj Interit, ja sa do të mungojë ylli i Shakhtarit