Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani vazhdoi me fitore në Superligë duke e vazhduar me komoditet garën për titull. Suharekasit mposhtën si mysafir 2:0 skuadrën e Malishevës.
Por kjo fitore e skuadrës së Ilir Dajës u kontestua nga nën-kryetari i Llapit Amrush Batatina. Në një prononcim për KosovaPress, i pyetur nëse përballja mes Malishevës dhe Ballkanit ishte e kurdisur, përgjigja e Batatinës ishte e thjeshtë: “Po”.
Më tej, Batatina akuzoi Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) për favore, ku ndër të tjera përmendi edhe rastin e ndeshjes së Ballkanit dhe Dukagjinit, ku për këtë të fundit tha se është klub i lidhur me Sylejman Selimin.
“Një fëmijë i vogël e sheh qysh është luajt loja, seriozisht nuk ka asgjë për të komentuar. Nuk e di ku është Federata, pse nuk është e njëjta? Ka qenë edhe loja Dukagjini-Ballkani, e keni pa se kush nuk reagon, se Dukagjini është klub i lidhur me Sylejman Selimin, e dënohet Tahiri (Batatina) me tri ndeshje, kjo nuk do koment”, tha Batatina.
Për favore të FFK-së, Batatina tha: “Është e vërtetë dhe ashtu është. Ndoshta e keni parë referimin kundër Llapit, e dënohet Tahiri”.
Për fund, nënkryetari i Llapit për KosovaPress tha se kur Ballkani i kurdis ndeshjet, askush nuk e përmend këtë gjë.
“Kur fiton Llapi, çdo emision thuhet se është e kurdisur pa qenë hiq, e kur i kurdis Ballkanit askush nuk fol”, tha Batatina.
Ballkani kryeson tabelën e Superligës së Kosovës me 69 pikë, katër sosh më shumë se Llapi në vendin e dytë dhe Drita në vendin e tretë, kurse Malisheva mbyll top 4 me 53 pikë.