Majlinda në dyshim për ‘Baku 2015’

Edhe pse rehabilitimi i saj po shkon me hapa të shpejtë, trajneri Driton Kuka po mendon mirë nëse Majlinda do të paraqitet apo jo në këtë eveniment evropian, pasi një tjetër lëndim eventual, mund t’i kushtojë shtrenjtë kampiones botërore.

“Rehabilitimi i Majlindës po shkon mirë, më mirë se që pritej. Asaj i nevojiten maksimum pesë muaj për t’u shëruar plotësisht dhe ndoshta do të jetë e gatshme. Mirëpo, ky do të ishte rrezikim nga ana e jonë, ngase, nëse do t’i përsëritej lëndimi, mund ta rrezikojë pjesëmarrjen në Olimpiadën e Rios, e cila është shumë e rëndësishme. Të shohim”, ka thënë Kuka.

Ai e ka lavdëruar kirurgun, i cili e ka operuar Kelmendin. Rreth mundësisë së pjesëmarrjes në Baku flet edhe vetë Majlinda, e cila shpreson që ta ketë mundësinë ta përfaqësojë vendin e saj në këtë eveniment.

“Unë kam qëndruar një muaj në Slloveni, ku po e bëj rehabilitimin, ndërsa kam ardhur përkohësisht dhe të mërkurën do të nisem përsëri për në Slloveni, ku do ta kaloj edhe një muaj tjetër. Do ta bëj të pamundurën për t’u kthyer sa më shpejt. Momentalisht s’mund të ushtroj xhudo, por po ushtroj në aspektin fizik. Ky lëndim kërkon pushim 5-6 muaj, por të shoh se si do të ecin punët, se si do të reagojë gjuri dhe muskujt. Asgjë nuk është e pamundur. Besoj se do të mund të marrë pjesë në Baku”, theksoi Kelmendi, raporton ‘Zëri’.

Majlinda ishte operuar në gju në fund të muajit janar në Spitalin Amerikan të Kosovës, ndërsa disa ditë më pas udhëtoi drejt Sllovenisë, ku po e ndjek fazën e rehabilitimit nën mbikëqyrjen e Mit Bracic, mjekut të njohur, i cili po mundohet që sa më shpejt ta rikthejë Majlindën në formën optimale për të qenë e gatshme për sfidat e rëndësishme që e presin. Majlinda Kelmendi është kampione e dyfishtë botërore e xhudos dhe aktualisht prin në listën e xhudistëve më të mirë në botë.