Majlinda Kelmendi kujton momentin kur sot 4 vite më parë fitoi medaljen e artë Olimpike

7 gushti 2016 do të mbetet njëra nga datat që do të hyjë në librat sportiv jo vetëm në Kosovë. Një vend i vogël, pas vetëm dy ditësh debutimi në ngjarjen më të madhe sportive në botë, Lojërat Olimpike, ia doli të fitojë medaljen e artë.

Xhudistja, Majlinda Kelmendi, bëri miliona shqiptarë krenarë, kur fitoi një nga një, luftërat në kategorinë deri në 52 kilogramë, për t’u ngjitur më pas në majën e podiumit të Lojërave Olimpike Rio 2016.

Krahas medaljes, flamuri ynë valoi më së larti, duke e përfshirë Kosovën në hartën e shteteve me medaljen Olimpike.

4 vjet më pas, Majlinda vazhdon të mos ndalet, dhe ndihet e uritur për suksesin tjetër madhështor, medaljen e dytë Olimpike.

Ajo po përgatitet për Lojërat Olimpike Tokio 2020, të shtyra për një vit shkaku i pandemisë COVID 19.

Ky përvjetor e gjen Majlindën bashkë me trajnerin e saj, arkitektin e këtij suksesi, Driton Kuka, në Turqi, ku po marrin pjesë në kampin përgatitor me kombëtaren e Turqisë.

Kampionia Olimpike në intervistën dhënë Komitetit Olimpik të Kosovës, kujton me krenari 7 gushtin e 2016-tës.

Këtë herë ky përvjetor po ju gjen në Turqi në kamp përgatitor. Si po ndiheni sot në 4-vjet me medalje të artë?

Sa më shumë kohë që po kalon aq më e pabesueshme po më duket medalja e artë Olimpike. Jam shumë e lumtur dhe krenare njëkohësisht.

 

A keni marrë sot urime për këtë përvjetor dhe a ju ka uruar edhe ndonjë xhudiste ose personalitet i lartë në Kosovë ose jashtë vendit?

Kam marrë mjaft urime sot dhe mendoj qe medaljes Olimpike ju kanë gëzuar të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Si ndiheni kur i shihni videot e finales apo të pranimit të medaljes, si dhe a i shikoni ende luftërat deri në finale?

Kohë pas kohe i shikoj luftërat, dhe sa herë që i shoh më emocionojnë shumë. Kujtimi është ende shumë i freskët.

 

Cilin moment e kujtoni më së shumti nga 7 gushti 2016. Finalen, ceremoninë e medaljeve, ngritjen e flamurit apo…?

Që të gjitha këto që i përmendët e kanë pasur domethënien e vet, secili kujtim është më i bukur se tjetri.

 

Çka ka ndryshuar tek Majlinda prej fitimit të medaljes së artë Olimpike?

Realisht asgjë, sepse vazhdoj me qenë Majlinda e njëjtë qysh kam qenë gjithmonë.

 

7 gushtin 2021 do ta festosh vetëm me medaljen e Rios, apo edhe me ndonjë medalje nga Tokio 2020?

Besoj shumë që prej Tokios do të kthehem me medalje.