Majlinda Kelmendi, ambasadore e fushatës “T’i japim vendit ngjyra”

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) dhe organizata jo qeveritare Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën (TPK) kanë lansuar sot fushatën më të madhe kombëtare për mbjelljen e 1.8 milion drunjve “T’i japim vendit ngjyra”.

Fushata parasheh që brenda 10 viteve në të gjithë Kosovën të mbillen 1.8 milion drunj.
Në lansimin e bërë tek këndi olimpik në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, morën pjesë figura të larta të sportit dhe politikës.

Në fjalën e rastit, presidenti Hasani foli për rëndësinë që ka fushata dhe mbjellja e drunjve, derisa kujtoi edhe dy personalitetet që u ndanë nga jeta ditë më parë, ish-presidentin e KOK-ut, Shaqir Shaqiri dhe aktivistin e TPK-së, Labinot Aliaj.

“Sot do të mbjellim 18 drunj këtu në mjedisin e kampusit të rektotarit të Prishtinës, në të cilën ne do të përkujdesemi për dhënien e më shumë oksigjenit për studentë dhe të tjerë. Falë bashkëpunimit që kemi me rektorain, këtu do ta bëjmë këndin olimpik, të cilit do t’ia shtojmë edhe rrathët olimpik”, tha mes tjera presidenti Hasani.Drejtori ekzekutiv i TPK-së, Luan Hasanaj, theksoi se mbjellja e 1.8 milion drunjve koincidon me numrin e banorëve në Kosovë.

“Ku ka më mirë se këtë fushatë ta nisim nga kampusi i Universitetit të Prishtinës, vendi ku kanë nisur lëvizjet për ndryshime dhe na kanë sjellur deri tek kjo liri që po e gëzojmë sot. Në këtë frymë më të motivuar se kurrë po e nisim këtë fushatë për të vazhduar maratonën e mbjelljes së 1.8 milion drunjve për 10 vjet”, tha Hasanaj.Më pas me nga një fjalë rasti fushatën e përshëndetën dhe e përkrahën fuqishëm, rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Ambientit, Burbuqe Deva Bakija, zëvendësministri për Kulturë, Rini e Sport, Engelbert Zefaj, drejtori për marrdhënie civile ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes, Agron Durmishi, koordinatorja e zyrës së agjencive të OKB-së, Ulrika Richardson etj.Të pranishëm ishin edhe sportistët tjerë si Distria Krasniqi, medaliste e bronztë e botës dhe Evropës në xhudo, trajneri kampion Olimpik Driton Kuka, nënkampionia
e botës për juniore në boks, Donjeta Sadiku, Muhamet Ramadani, kampion i EYOF Baku 2019 në hedhjen e gjylës, Remzo Mustafiq, medalist i bronztë në evropianin për të rinj në boks, Xhavit Bajrami Visoka, kampion botëror në kick-boks, etj.

Prezantimin e fushatës në detaje e bëri sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, i cili shpalosi planin se si do të realizohet kjo fushatë.Ëmbëlsira për fund ishte kampionia Olimpike Majlinda Kelmendi, e cila u shpall ambasadore e fushatës, çmim ky që iu nda nga presidenti i KOK-ut, Hasani dhe drejtori Ekzekutiv i TPK-së, Hasanaj.“Ne të gjithë e dimë se Kosova dhe sidomos kryeqyteti jonë është i mbingarkuar dhe çka më së shumti ka nevojë Kosova është hapësira për gjelbërim për të kaluar kohë me familje dhe për të marrë marrë energji pozitive.Të gjithë e dimë se njeriu si krijesë sa është i lidhur me natyrën, prandaj për mendimin tim ky është projekti më i qëlluar që është bërë në Kosovë sa i përket mbrojtjes së ajrit”, theksoi Kelmendi.

Në fund të pranishmit mbollën nga një pemë, të cilat u emërtuan me emrat e tyre ose të organizatës.