Majlinda fiton trofe në Baku

Të mërkurën, xhudistja më e mirë në botë do të shpallet më e mira e vitit 2014 në Evropë, shkruan sot Koha Ditore.

Majlinda Kelmendi edhe kur nuk garon kujdeset që Kosovës t’i sjellë trofe.

Falë saj, Kosova e ka të sigurt që do të fitojë trofe në Baku të Azerbajxhanit, ku po mbahen Lojërat inauguruese Evropiane.

Kelmendi të mërkurën mbrëma do të shpallet zyrtarisht xhudistja më e mirë në Evropë për vitin 2014. Ajo do të marrë shpërblimin si më e mira në një mbrëmje gala të Federatës Evropiane të Xhudos (EJU) që mbahet në Baku të mërkurën nga ora 20:30. Kjo është bërë e ditur në një letër që EJU-ja ia ka dërguar Federatës së Xhudos të Kosovës.

Në letër bëhet e ditur se Kelmendi është e nominuar si xhudistja më e mirë evropiane për vitin 2014 dhe ka fituar në këtë kategori.

Është hera e dytë rresht që 24-vjeçarja nga Peja shpallet zyrtarisht xhudistja më e mirë në Evropë. Në prill të vitit të kaluar asaj iu nda çmimi si xhudistja më e mirë e kontinentit të vjetër për vitin 2013.

Në të vërtetë mbrëmjet gala, EJU i organizon gjatë kampionateve evropiane të xhudos. Këtë vit kampionat evropian do të llogaritet gara e xhudos në kuadër të Lojërave Evropiane që po mbahen në Baku.