Mabetex Prishtina kalon në 1/32 e finales së Ligës së Kampionëve

Mabetex Prishtina ka kaluar në 1/32 e finales të Ligës së Kampionëve në futsall pas fitores së arritur në raundin preliminar.

Kampionia e Kosovës në futsall të mërkurën në mbrëmje në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë mposhti kampionen e Shqipërisë, Tiranën, me rezultatin 3:0. Mërgim Dervishaj e ka shënuar golin e parë pak minuta para fundit të kësaj pjesëloje.

Dy golat tjerë prishtinasit i shënuan në pjesën e dytë. Shënues i golit të dytë ishte Jeton Rukovci, ndërsa rezultati final i këtij dueli u vendos nga Dervishaj që ishte realizator i golit të dytë personal në ndeshje.

Shorti për kundërshtarin e radhës të skuadrës së Mabetex Prishtinës do të hidhet më 9 dhjetor, derisa ndeshjet do të luhen të gjitha pa praninë e shikuesve për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Raundi i 32 skuadrave më të mira do të luhet në datat mes 12 deri më 17 janar.