Lushtaku ‘selam’ Munishit, Ismeti i përgjigjet kështu

E shtuna e parë e Superligës pranverore rezervon një sfidë interesante, ku “Bajram Aliu” na sjell betejën mes dy miqve kontrovers, Tahir Lushtakut të Drenicës dhe Ismet Munishit të Hajvalisë.

Ata kanë nisur të ngacmohen fiks një javë para ndeshjes, duke i treguar njëri-tjetrit se çfarë i pret të shtunën e 28 shkurtit.

“Kam një selam për Ismet Munishin dhe Hajvalinë. Le t’i harrojnë pikët në Skenderaj. As nuk do të vihet në pikëpyetje fitorja jonë”, deklaroi Lushtaku për Gazetën Olle.

“Jam i bindur që do të fitojmë sepse lojtarët e mi do të luftojnë deri në fund për fitore dhe normalisht që do ta fitojmë këtë takim. Jemi shumë të motivuar pasi që në vjeshtë na ishte vjedhur fitorja në Kizhnicë nga gjyqtarët”, shtoi trajneri skenderajas.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ismet Munishit, që ka thënë për gazetën se Hajvalia nuk e llogarit ndeshjen e parë fare.

“Ne nuk e llogaritim aspak ndeshjen e parë. Do të luftojmë për fitore që prej takimit të dytë. Tahiri e ka ekipin më të mirë se unë dhe ka ambicie të mëdha për këtë edicion. Ata po ashtu janë përforcuar shumë”, tha Munishi për “Olle”.

Drenica-Hajvalia zhvillohet të shtunën, më 28 shkurt në ora 13:00. /Gazeta Olle