Lushtaku: Sejdiu na ofendoi, ja si po i fiton ndeshjet Feronikeli

Trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, thotë se tekniku i Feronikelit, Gani Sejdiu e ka ofenduar skuadrën kuqezi pas përfundimit të ndeshjes së Kupës sot.

“Pas përfundimit të ndeshjes kam qenë shumë i qetë, mirëpo Gani Sejdiu erdhi dhe ma ofendoi ekipin në mënyrë banale, duke thënë më pas që “nuk jeni burra të mirë”. Kjo ishte totalisht e panevojshme, por ai e di më mirë arsyen”, deklaroi Lushtaku për GazetaOlle.com.

Lushtaku nuk ndalet me kaq, duke e lëshuar një tjetër akuzë drejt rivalëve lokal.

“Ganiu dhe Feronikeli kanë menduar që sot do të fitojnë lehtë, por nuk ndodhi ashtu. Të gjithë po e dinë se si Ganiu dhe Feronikeli janë duke i fituar ndeshjet. Edhe njerëzit e sportit e edhe fëmijet e kanë kuptuar tashmë”, shtoi Lushtaku.

Ai premtoi në fund që për dallim nga Nikli, Drenica do të luajë deri në fund të kampionatit futboll të pastër. Gjysmëfinalja e parë ndërmjet Feronikelit dhe Drenicës u mbyll 0:0, ndërsa ajo e kthimit luhet pas dy javësh.