Lushtaku: Kjo është e tepërt, gjyqtari e vendosi rezultatin

Trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku ka reaguar ashpër sa i përket ndarjes së drejtësisë, nëpërmjet Gazetës ‘Olle’, në ndeshjen Istogu – Drenica (1:0).

Mervan Bejtullahu (kryesor), Benon Këpuska, Selami Haziri dhe Besnik Batalli ishin ‘bilbilat’ e kësaj sfide. “Mendoj se gjyqtari ka qenë i njëanshëm. Nuk na ka lënë që të zhvillojmë lojën tonë, duke na ndëshkuar me kartonë pa kurrfarë baze. Lojtarët e Istogut kanë luajtur më bërryla dhe nuk i ka ndëshkuar, me qëllim apo pa qëllim nuk e di”, ka thënë Tahir Lushtaku pas ndeshjes për Gazetaolle.com.

“Referët në Kosovë po vendosin vet kritere. Kjo është e tepërt se çka po ndodh në Kosovë. Rezultatin në ndeshjen tonë e vendosi referi”, shtoi Lushtaku.

Istogu – Drenica u vendos me penalti të cilën e shndërroi në gol Besnik Krasniqi. “Nuk ka qenë penalti, ishte një simulim i lojtarit të Istogut. Le te vlerëson vet ai, dhe ata që e delegojnë. Për fund, nuk po dua t’ia minimizojë humbjen Istogut, por referimi nuk ishte në nivel”, përfundoi Tahir Lushtaku.