Lushtaku flet pas dorëheqjes, ka disa fjalë për Taulant Dajakun

Edhe pse e arriti objektivin për të mbetur në Superligën e Kosovës edhe në edicionin e ardhshëm, trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, ka dhënë dorëheqje nga ky sport duke e lënë klubin pa kryetrajner deri në emërimin e një të riu nga drejtuesit e klubit.

Largimi i Lushtakut nga klubi nuk ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme pasi ai ka thënë se ka pasur ndërhyrje në klub dhe madje rezultatet e mira të tij nuk janë mirëpritur nga njerëz brenda dhe jashtë klubit.

I pyetur mbi arsyet kryesore të dorëheqjes, ai për KosovaPress ka thënë se në klub kanë munguar investimet dhe kjo ka ndodhur për shkak se dikujt nuk i kanë pëlqyer sukseset e tij si trajner.

“Janë disa arsye. Unë kam shpresuar që me punë dhe angazhim ta stabilizojmë Drenicën për një afat më të gjatë. Rezultat e mira, sidomos në fillim të sezonit, i kanë penguar shumë njerëz. Ata që është dashur dhe kanë pasur mundësi të investojnë nuk e kanë bërë këtë për shkak të emrit tim. Unë jam kundër përfshirjes së politikës në sport, unë nuk jam njeri i politikës, nuk jam me ndonjë parti dhe nuk dua të merrem me këtë pjesë.”, tha fillimisht Lushtaku.

Ish-trajneri ka thënë se nuk ka pasur aspak raporte të mira edhe me drejtorin sportiv të klubit, Taulant Dajaku, për të cilin ka thënë se nuk është kompetent për punën që e bënë dhe se marrëdhëniet mes tyre ishin ngrirë që në fillim të sezonit.

“Unë nuk kam e as nuk kam pasur raporte të mira me drejtorin. Ai është në një pozitë që nuk e meriton, nuk e njeh dhe nuk e di se si funksionon. Lehtë është të dalë e të flas nëpër studio televizive dhe të duket mirë, por fare nuk e njeh këtë pjesë. Më të i kam ngrirë marrëdhëniet që pas tre apo katër xhirove të para dhe marrëdhëniet tona nuk kanë funksionuar asnjëherë.”, ka thënë Lushtaku.

Sa i përket te ardhmes, Lushtaku tha se do të pushojë për një vit pasi ka disa angazhime në jetën private dhe pastaj do t’i kthehet punës së trajnerit sërish.

E quajnë veten futbollistë profesionistë, por rrezikojnë karrierën dhe klubet e tyre nëpër turne në futboll të vogël

Në nderim të ish-luftëtarit të UÇK-së, Selatin Morina, në Rufc të Vjetër të Lipjanit mbahet turniri tradicional në futboll