Lushtaku – Feronikelit: Nëse dëshironi luajmë edhe në Kukës

Lideri i Superligës, skuadra e Feronikelit ndeshjen e radhës ndaj Drenicës, nuk do ta zhvillojë në stadiumin ‘Bajram Aliu’ në Skënderaj, por në ‘Përparim Thaqi’ të Prizrenit.

Gazetaolle.com mëson se një gjë e tillë do të ndodh për shkak të terenit më të mirë që është në Prizren. Si Feronikeli ashtu edhe Drenica ndeshjet si vendas i zhvillojnë në Skenderaj.

Në një prononcim për Gazetaolle.com, trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku thotë se nuk është i brengosur që ndeshja do të luhet në Prizren. “Nuk më shqetëson aspak ky fakt, përkundrazi na motivon. Nëse është nevoja jemi të gatshëm të luajmë edhe në Kukës apo ku do që i’u konvenon atyre, në cilindo stadium apo qytet, në Kosovë e Shqipëri”, ka thënë Tahir Lushtaku për Gazetën ‘Olle’.

Tutje, Lushtaku tha se pret një lojë të fortë. “Pres një lojë dinamike nga të dyja ekipet. Kush është më i miri do të shihet në fushë, le të fitojë më i miri”, përfundoi Lushtaku. Kjo ndeshje do të zhvillohet të shtunën.