Lukaku zbulon arsyen pse u rikthye te Chelsea

Ndonëse kaloi dy vite mjaft të bukura në Milano,l ku fitoi edhe titullin kampion me Interin, Romelu Lukaku ndjeu shpejt mall për Premier Leaguen dhe u rikthye te Chelsea në një transferim që preku shifrën e 115 milionë eurove.

Pas 5 ditësh karantinë të detyruar për shkak të koronavirusit, sulmuesi 28-vjeçar belg nisi të martën përgatitjet nën drejtimin e trajnerit Thomas Tuchel, ndërsa paraditen e sotme doli në një konferencë për shtyp, ku foli për rikthimin në Londër, vendimin për të mbajtur numrin 9 dhe objektivat për të ardhmen.

Do të luani me numrin 9 mbi shpinë?
Po dhe jam shumë i lumtur e me fat që jam në një situatë të tillë, ku mund të marr numrin tim të preferuar. Dua të nderoj këtë numër, duke shënuar sa më shumë për Chelsea-n.

Si është të përballesh me Arsenalin?
Është një derbi dhe nuk ka nevojë për shumë fjalë. Ata janë një skuadër në ndërtim e sipër dhe mund të befasojnë në çdo moment, por unë mendoj vetëm për Chelsea-n. Ne po përgatitemi për një ndeshje të fortë dhe jemi gati të zhvillojmë një betejë në fushë.

Si mendoni se do të përshtateni në sulmin e Chelsea-t?
Unë mendoj se gjëja kryesore është komunikimi. Unë vazhdimisht flas me shokët e repartit, për t’i pyetur se çfarë presin prej meje dhe çfarë mendojnë se mund ta bëjnë më mirë. Duhet bashkëpunim, por nuk është problem, pasi te Belgjika aplikojmë një skemë të ngjashme me këtë te Chelsea.

A mendoni se Chelsea mund të përballet me një ekip të mbushur me yje, si PSG-ja?
Ata kanë një ekip të madh, me shumë futbollistë cilësorë, por sezoni sapo ka filluar dhe ne jemi përqendruar të bëjmë sa më mirë punën tonë. Nëse vazhdojmë të përmirësohemi dhe të harmonizohemi me njëri-tjetrin në fushë, mund të përballemi denjësisht me këdo.

Çfarë ka ndryshuar më së shumti te Lukaku gjatë dy viteve të fundit?
Mendoj se jam më i matur në atë që bëj dhe sigurisht më i kompletuar. Kam njohur më mirë veten time, aftësitë e mia dhe besoj se tani do të nxjerr më të mirën nga vetja.

Keni marrë këshilla nga Drogba?
Ai më ka thënë se është shumë i kënaqur me rritjen time dy vitet e fundit në Serinë A, por ka gjithmonë diçka për të shtuar, ndaj duhet të punoj gjithmonë e më shumë për t’u përmirësuar. Jam në një grup të uritur e ambicioz, ndaj mezi pres të shtoj edhe unë diçka timen këtu. Kam bërë një përgatitje të plotë para-sezonale dhe jam gati të jap kontributin tim në fushë, ndaj tani vendos trajneri.

Risi te Drita, para çdo ndeshje do të ketë konferencë për media

Vëllaznimi sjell “revolucion” në Kosovë, do të lansojë aplikacionin për telefon