Lukaku vendimtar, Chelsea në finalen e Kupës së Botës për klube

Romelu Lukaku ka çuar Chelsea në finalen e Kupës së Botës për Klube. Ekipi i Tuchel mposhti minimalisht në gjysmëfinale Al-Hilal me rezultatin 1-0 dhe tashmë do të shkojë në finale ku përballë do të ketë brazilianët e Palmeiras.

Takimi filloi vrullshëm për “Blutë e Londrës” duke kërkuar vazhdimisht rrugën e rrjetës. Megjithatë, në shumë raste Lukaku dhe shokët e skuadrës nuk e gjetën dot golin deri në minutën e 32-të.

Ishte pikërisht belgu që zhbllokoi gjithçka pasi u gjend i vetëm me portierin nga gabimi i mbrojtjes së Al-Hilal. Në pjesën tjetër të takimit, Al-Hilal u përpoq të surprizonte londinezët, por Kepa ishte i vëmendshëm në të gjitha tentativat.

Në minutat e mbetura të takimit, Chelsea administroi rezultatin dhe ia arriti këtë gjë shumë mirë pasi nuk pësoi gol, por e mbylli sfidën me golin e vetëm të Lukakut. Chelsea gjithashtu pati disa raste të tjera shënimi, por Lukaku dhe Mount nuk u treguan të saktë nga shumë pranë portës.

Megjithatë, Chelsea është finalisti i dytë në Botërorin e Klubeve, ku e pret Palmeiras që mposhti në gjysmëfinale egjiptianët e Al-Ahly.

Trepça bindëse ndaj Rahovecit, kalon në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

Kumbulla flet për momentin që po kalon Roma