Luftëtarët e dorëzuar

Klubi i futbollit Luftëtari, që garon në Ligën e Parë të Kosovës (kategoria e dytë) nuk ka arritur ta arsyetojë emrin që mban, të paktën këtë sezon.

Këtë emër e mban nga paslufta me idenë se gjithnjë duhet të luftohet për ngjyrat e klubit dhe për rezultate sa më të mira. Por rezultatet e mira mungojnë këtë sezon, shkruan sot Koha Ditore.

Edhe matematikisht, skuadra ka humbur gjasat për të mbijetuar në këtë rang të garave, kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro deri në fund. Ekipi nga fshati Brekoc i Gjakovës është në pozitën e fundit me tetë pikë. Nga 23 ndeshje ka 2 fitore, 2 barazime dhe 19 humbje. Ekipi është dorëzuar këtë sezon dhe ka nisur të mendojë për sezonin tjetër.

“Luftëtari është ekip që synon rezultate të mira në çdo aspekt”, tha ushtruesi i detyrës së kryetarit të klubit, Gjokë Komani, të hënën për gazetën.

Klubi është themeluar në vitin 1972. E kaluara e skuadrës deri në fillim të luftës është pak e njohur.

“Si klub ka ekzistuar edhe më herët, shumë më herët. Por, nga paslufta është bërë riorganizimi”, ka theksuar Komani.