‘Luftë’ e madhe edhe për “Këpucën e Artë”

Futbolli i Kosovës mund të mos jetë në nivelin e dëshiruar dhe jo shumë joshës, megjithatë dëshira dhe motivi i lojtarëve për t’u treguar të suksesshëm në këtë garë, e cila po përballet çdo herë e më shumë me vështirësi të llojllojshme është maksimale.

Sivjet po paralajmërohet një ‘luftë’ shumë e ashpër në garë për titullin e kampionit, Diditalb Kupën e Kosovës, si dhe në atë të mbijetesës.

Mirëpo, aspak më inferiore nuk do të jetë edhe gara për golashënuesin më të mirë, apo siç njihet ndryshe “Këpuca e Artë”.

Plot shtatë lojtarë tash për tash po luftojnë për të njëjtin trofe: Kastriot Rexha me 8 gola, Florim Bërbatovci e Blerand Kurtishaj me nga 7-të dhe Alban Shillova, Shend Kelmendi, Taulant Dajaku e Xhevdet Shabani me nga 6 gola, por shumë afër tyre janë edhe Mentor Zhdrella, Behar Maliqi, Liridon Leci e Liridon Fetahaj që kanë nga pesë sosh.

Rexha premton shumë gola edhe në pranverë. “Unë do të mundohem që të shënojë sa më shumë gola në mënyrë që t’i sjell rezultate Besës dhe sigurisht se do të jem sa më lartë në listën e shënuesve”, ka thënë sulmuesi i Besës së Pejës, Kastriot Rexha për ‘Kosova Sot’.

“Sivjet ka shumë lojtarë, që po e kërkojnë çmimin e golashënuesit. Kjo është një gjë e mirë, pasi tregon se Kosova ka sulmues të mirë. Për mendimin tim, pranvera do të jetë shumë e nxehtë deri në fund dhe jo vetëm për “Këpucën e Artë”, por në çdo front”, ka deklaruar sulmuesi i Trepçës ’89, Blerand Kurtishaj.