Luajnë pa pare, por me zemër

Të luash për Trepçën do të thotë të sakrifikosh shumë. Duhet të kesh shumë vullnet e dashuri për klubin mitrovicas, që ta kalosh sfidën. Hendbollistë e trajnerë po e mbyllin një edicion, pa marrë paga. Ata bashkërisht kishin vendosur të luanin pa para, për t’i dalë në ndihmë klubit të tyre në krizë. Madje, nuk kursyen asgjë nga vetja. Luajtën me zemër për të shpëtuar Trepçën nga rënia prej Superligës

Hendbolli kosovar, sikurse sportet tjera, vazhdon të ballafaqohet me vështirësi të ndryshme, ndërsa kriza financiare mbetet problemi më madhor. Të merresh me hendboll në vendin tonë do të thotë të sakrifikosh shumë. Vetëm vullneti i madh i mban aktivë hendbollistët dhe trajnerët e tyre. Këtë më së miri e konfirmon klubi mitrovicas i hendbollit, Trepça. “Xehetarët” po dëshmojnë vullnet të madh, duke shkuar drejt përfundimit të një sezoni, pa marrë fare paga. Lojtarë e trajnerë, për hir të klubit dhe qytetit, kishin pranuar që ta ndihmojnë Trepçën, pa para. Tani kur e kanë siguruar mbijetesën në Superligë, mitrovicasit mezi po e presin përfundimin e garës, me shpresën që gjatë pushimit veror situata të ndryshojë për të mirë, dhe klubi të gjejë mundësi për t’i paguar nga edicioni i ardhshëm.

“Kur kam ardhur në Trepçë gjendja financiare në klub ka qenë e vështirë. Së bashku me lojtarët kemi vendosur që këtë edicion të luajmë pa para, në mënyrë që ta ndihmojë klubin për të siguruar mbijetesën në Superligë”, thotë për “Zërin” trajneri i Trepçës, Taib Kabashi. Ai thotë se bashkë me lojtarë kishin arsye për ta bërë një sakrificë të tillë. “Arsyeja pse kemi vendosur të luajmë pa asnjë përfitim financiar është dashuria që kemi për këtë klub. Ka qenë koha e vështirë në të cilën është dashur të tregojmë dashuri për klubin tonë të zemrës, në mënyrë që ta ndihmojmë për të mbijetuar në Superligë”, theksoi ai.

Pasi u kthyen në palestrën e tyre “Minatori”, Trepça gjeti forcë dhe arriti ta sigurojë ekzistencën, me katër fitore e një humbje në pesë ndeshjet e fundit të deritanishme.

 

Vështirë të motivohen

Të luash pa para nuk është aspak e lehtë për lojtarë. Por, akoma më vështirë e kanë trajnerët, të cilët përpos që nuk paguhen personalisht, e kanë të vështirë t’i motivojnë lojtarët e tyre dhe ta kërkojnë maksimumin nga ta, kur gjithnjë e dinë se djelmoshat e tyre nuk paguhen. “Është normale që është e vështirë të motivohen lojtarët në kushte të tilla. Por, të gjithë lojtarët tanë bëjnë ndonjë punë tjetër dhe nuk varen nga hendbolli”, thotë trajneri i Trepçës. Ai i falënderon lojtarët për angazhimin, duke treguar se shpeshherë i lënë punët primare për t’iu përgjigjur klubit. “Ata kanë obligime të ndryshe dhe duhet falënderuar pasi që gjithmonë gjejnë kohën të vijnë në stërvitje dhe janë tejet të përkushtuar”, potencoi Taib Kabashi, duke e potencuar edhe faktin se gjendja në klub e brengos edhe kryesinë e klubit, e cila ua di për nder lojtarëve dhe trajnerëve për sakrificën që bëjnë për Trepçën.

 

Shpresa vdes e fundit

Trajneri Taib Kabashi shpreson që ky edicion të mbetet më i keqi në historinë e Trepçës, me shpresën që nga edicioni i ri klubi të dalë në dritë. “Nga edicioni i ardhshëm na është premtuar se do të përmirësohen kushtet në ekipin tonë. Kuvendi Komunal na ka premtuar kushte më të mira dhe besoj që me përmirësimin e kushteve do të jemi një ekip më i fortë dhe i qëndrueshëm”, thotë Kabashi.

 

E lakmojnë Evropën

Kriza financiare nuk e ka lënë Trepçën të mendojë për gara evropiane, por “Xehetarët” shpresojnë që klubi i tyre ta kalojë shpejt këtë krizë dhe të kualifikohet në garat e EHF-së në edicionin e ardhshëm. “Nga edicioni i ardhshëm besoj që do të jemi një ekip i fortë dhe konkurrent. Synimi ynë mbetet të jemi në katërshen e ekipeve, dhe pse jo edhe të sigurojmë një pozitë e cila siguron pjesëmarrjen në garat evropiane”, tha trajneri Kabashi. “Kemi një tifozeri të flaktë e cila na mbështet dhe me kushtet që pritet të krijohen, besoj fuqimisht se mund t’ia dalim dhe ta rikthejmë Trepçën atje ku e ka vendin dhe e meriton, pasi është një ekip me traditë të madhe në hendbollin kosovar”, u shpreh në fund Kabashi.