Antonio “El Turco” Mohamed është bërë një nga personazhet më të njohur në futbollin botëror në ditët e fundit të këtij viti.
Trajneri i skuadrës meksikane të Monterrei fillimisht nuk ngurroi t’i përgjigjej dhëmb për dhëmb duke sfiduar Jurgen Klop në Botërorin e Klubeve e më pas arriti që me klubin meksikan të fitonte turneun Apertura në vendlindje.
Pamjet e tij duke qarë në pankinë bënë xhiron e botës sepse kishin një kuptim shumë më të madh sesa thjesht një trofe i fituar.
Në vitin 2006, trajneri argjentinas ishte në Gjermani duke ndjekur Botërorin kur pësoi në aksident të rëndë me makinë nga i cili i biri 9-vjeçar, Farid, pësoi plagë të rënda dhe humbi jetën.
Në ditët kur djali i tij ishte në koma në spital në Frankfurt, Mohamed i premtoi atij se do t’i kthente Monterrei titullin kampion, meqë djali i tij ishte tifoz me këtë skuadër.
Argjentinasi ia doli që ta bënte realitet mbrëmë premtimin e tij, kur skuadra e Monterrei mundi Amerika. Ndërsa të tjerët vraponin në fushë për të festuar, Mohamed shpërtheu në një dënesë në pankinë, me pamjet që bënë xhiron e botës, sidomos pasi u mësua historia tragjike pas atyre lotëve. “Mamaja ime, babai im, djali im, të gjithë bashkë duhet të jenë duke festuar atje lart nga gëzimi”, ishin fjalët e trajnerit të mallëngjyer nga ky sukses, raporton VipSport.