Loshaj: Krenar që luaj për kombëtaren, lojtarët e Superligës kanë cilësi, duam të bëjmë krenar “Dardanët”

Kombëtarja e Kosovës është grumbulluar në Antalia të Turqisë për ndeshjet ndaj Guinesë dhe Gambisë.

Ndeshja e djeshme e zhvilluar ndaj Guineas nuk ishte më e mira e mundshme, pasi lojtarët e grumbulluar nga Challandes humbën me rezultatin 1:2, shkruan GazetaBlic Sport.

Në këtë grumbullim janë kryesisht lojtarë të Superligës dhe disa lojtarë që luajnë jashtë, por që nuk kanë pasur shumë minutazh tek kombëtarja jonë.

Florian Loshaj, mesfushori 22 vjeçar i cili aktivizohet tek Cracoiva në Poloni është ndër lojtarët e ftuar në këtë grumbullim.

Loshaj thotë se është krenar që po e përfaqëson kombëtaren e Kosovës, ndërsa shtoi se lojtarët e Superligës që janë ftuar kanë cilësi.

“Ndihem gjithmonë krenar me përfaqësu Kosovën. Atmosfera është e mirë. Janë djemë të mirë. Disa lojtarë i njoh, i kam pa duke luajtur dhe e di se kanë shumë cilësi”, tha fillimisht Florian Loshaj për ‘GazetaBlic Sport’.

Ai për ndeshjen me Guinenë potencoi se kanë treguar disa momente të mira, kurse për sfidën me Gambinë shpreson të fitojnë.

“Edhe pse kemi pas pak kohë të integrohemi besoj se kemi tregu disa momente se kemi ekip me cilësi dhe kualitete”, vazhdoi ai.

“I kemi dy kundërshtarë të mirë. Lojën e parë për fat të keq e humbëm. Shpresojë se do tregojmë lojë të mirë në ndeshjën e radhës dhe kryesisht shpresoj se fitojmë”.

Ai poashtu komentoi edhe fitoret ndaj San Marinos dhe Maltës, duke thënë se i japin motiv kombëtares që t’i bëjnë ‘Dardanët’ krenar përsëri.

“Normalisht se fitoret i jepin Kosovës motivim për të ardhmen. Shpresoj se tash do ecë prapë nga e mbara dhe t’i bëjmë krenar ‘Dardanet’ përsëri”, përfundoi ai.