Lojtari i Kosovës i frikësohet Partizanit

Rrëfehet ekskluzivisht për “Sport Ekspres” mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Flamur Kastrati, që ka luajtur edhe me klube Duisburg dhe Tvente: “Në Norvegji, s’i trembemi askujt, luajmë në sulm. Shitja e Odegard na ndihmoi shumë”

 

Më 18 shkurt 2014, lumturia që ai provoi është diçka që do ta mbaj mend gjatë, pasi ashtu si shumë kosovarë të tjerë në emigrim jashtë vendit, për shkak të Luftës, ëndërrotne që të vishte fanellën e  Kombit të tij, në debutimin ndaj Haitit. Flamur Kastrati është 24 vjeç, por në karrierën e tij ka ndryshuar shumë klube, duke e nisur tek Skeid në Norvegji, për të provuar aventurën tek Tvente në Holandë, Osnabruk në Gjermani, Ergzgebirge Aue dhe Duisburg. Më pas, firma me Stromsgodset në verën e vitit 2013. Firmos për tre vjet, por nuk luan me vazhdimësi, për zgjedhje edhe të trajnerit. Eshtë i vetmi shqiptar i kësaj skuadre dhe ai që për “Sport Ekspres” rrëfen shqetësimin për duelin me Partizanin në Europa League, që më 2 korrik do të nisë, në Norvegji, dhe me 9 korrik do të mbyllet në Tiranë.

 

–           Flamur, në radhë të parë, si jeni, si po ju ecën sezoni, duke qenë se në Norvegji po i afroheni gjysmës së kampionatit?

–           Përshëndetje. Të them të drejtën, jo edhe aq mirë, pasi nuk kam pasur hapësira dhe më duhet të presim momentin tim, ndoshta kur dikush të dëmtohet apo të bëhet zëvendësime në zgjedhjet teknike.

–           Po sa i përket skuadrës, çfarë mund të thoni, duke qenë se ndodhet në vend të shtatë, jo në një pozitë fort të mirë?

–           Epo, nuk e nisëm ashtu si prisnim, ndaj edhe ndodhi kjo situatë, por në këto tre ndeshjet e fundit kemi 9 pikë të grumbulluara. Mendoj se do të ngjitemi edhe më tej, pasi e kemi kaluar fillimin e vështirë.

–           Domethënë, po thoni që Stromsgodset nuk është në krizë?

–           Aspak, jemi në rritje dhe do ta tregojmë këtë gjë.

–           Le të kthehemi pak tek situata juaj dhe fakti që nuk luani. Çfarë ka ndodhur?

–           Epo, gjithçka ka nisur me largimin e trajnerit Roni Deila, i cili firmosi në stolin e Selltik Gllasgou, në Skoci. Ndihmësi i tij, Ingebretsen, vendosi që të mos ndryshojë shumë gjëra dhe ndaj më la në stol, ku, siç e thashë, jam duke pritur momentin, sepse kam shumë dëshirë të jap kontributin tim.

–           Ndërkaq… keni Europën përpara dhe shorti ju ka vendosur përballë ekipit shqiptar, Partizani. Si ju duket?

–           Short shumë i vështirë, nuk e donim një ekip shqiptar, aq më tepër historik si Partizani.

–           Sa informacion keni për skuadrën e Partizanit dhe ju ka kërkuar njeri ju që të bëni përkthimet e duhura në mediet shqiptare…

–           Jo, s’më kanë kërkuar, pasi vetë trajneri dhe stafi i tij janë duke parë videot dhe tani do të nisim t’i shohim dhe ne futbollistët. Mos harroni, jemi në kampionat dhe s’mund të mendojmë për shumë ndeshje njëherësh, por sipas radhës. Sa për informacionin, do ta kemi të përmbledhur shumë shpejt

–           Ju personalisht sa e njihni Partizanin?

–           E njoh sepse e kam ndjekur në disa ndeshje, qoftë edhe në “youtube”. Bëhet fjalë për një ekip që luan mirë topin, ka mbrojtje të fortë dhe është agresiv, sidomos brenda fushës.

–           Përbën problem fakti që UEFA ndryshoi planet dhe të parën do ta luani në Norvegji, më pas do të udhëtoni në Shqipëri?

–           Asnjë problem. Sërish janë 180 minuta ose më shumë, në varësi të rezultateve. Ne do të jemi gati. Ndoshta për tifozët pak, që kanë bërë prenotime, por do të rregullohet

–           Njihni ndonjë lojtar të Partizanit, duke qenë se ju jeni kosovar

–           Të Partizanit, asnjë, por në Superligë kam disa miq, si te Kukësi

–           Do t’i merrni informacione?

–           Nuk besoj, ndoshta vijnë më takojnë gjatë ndeshjes

–           Përpara një viti, tek Stomsgodset luante një talent si Martin Odegard, sot i shitur tek Real Madridi. Humbje e madhe?

–           Shumë e madhe. Ai është lideri, edhe pse shumë i vogël në moshë. Por, shitja e tij është pozitive për klubin. Mos harroni, ka arkëtuar shumë para dhe edhe ne futbollistëve të tjerë na ka shërbyer në këtë aspekt…

–           Në “Qemal Stafa” do të jetë edhe trajneri i Kosovës, Bunjaku…

–           Po, e di. Kam informacion dhe kam biseduar. Dua të jap më të mirën, nëse do të më jepet mundësi

–           Atëherë, 50 me 50 shanset…

–           Nuk jap parashikim. Di të them që Partizani është ekip i madh, historik dhe cilësor. Do të jetë shumë e vështirë, por ne brenda fushës nuk i trembemi askujt dhe do të luajmë në sulm, qoftë edhe nëse do të ishte Real Madridi.