Shqipet në lëvizje

Tetë lojtarë të rëndësishëm të Kombëtares shqiptare pritet të zyrtarizojnë transferimin në skuadrat e reja në ditët e ardhshme. Duke nisur nga kapiteni Lorik Cana, mbrojtësit Elseid Hysaj, Andi Lila e Arlind Ajeti, mesfushorët Taulant Xhaka, Migjen Basha e Ledian Memushaj, si dhe sulmuesi Hamdi Salihi, momentalisht janë në “ethet” e merkatos, shkruan ‘panoramasport’.

Cana pritet të zgjedhë mes Shalkes, Olimpikut të Marsejës dhe Nju Jork Sitit, ndërsa Hysaj duket pranë Napolit, edhe pse Fiorentina ka shfaqur një interesim konkret. Lila, i larguar nga Parma për shkak të falimentimit të klubit emilian, është futur në bisedime me Karpin, skuadër e sapongjitur në Serinë A. Nga ana tjetër, mbrojtësi Arlind Ajeti është thuajse i larguar nga Bazeli dhe pritet të transferohet në një tjetër skuadër zvicerane. Ndërsa Xhaka është gjithnjë e më pranë kalimit te Fiorentina, teksa mbetet vetëm akordi mes dy klubeve: Bazelit që ka kartonin dhe italianëve.

Ndërkohë, Basha do të largohet nga Torino dhe pistat për të janë klube në Zvicër dhe Francë. Edhe Ledian Memushaj pritet të “divorcohet” me Pescaran, por për momentin nuk ka asgjë konkrete. Sipas mediave italiane, ai kërkohet nga Karpi dhe Empoli. Dje ka folur edhe drejtori sportiv i Peskarës, Xhorxho Repeto, për Memushajn. “Në këtë moment, nuk ka asnjë klub që të na bindë për kërkesat tona”, ka thënë drejtori i Peskarës. Një tjetër futbollist kuqezi që do të ndryshojë ekip është edhe sulmuesi Hamdi Salihi.

Edhe pse u përfol shumë një transferim i tij te Hapoel Tel Aviv, gjërat ngecën dhe me kalimin e kohës gjithçka u sfumua. Megjithatë, opsion i hapur për sulmuesin mbetet edhe Hapoel Haifa, ku mbylli sezonin, ndërkohë që pistë serioze është edhe rikthimi në Austri. Aktualisht, Salihi vazhdon pushimet, ndërsa menaxheri i tij po mundohet të gjejë një klub që plotë- son kërkesat e shkodranit. Nga sulmuesit kuqezi, deri më tani transferimin më të bujshëm e ka bërë Cikalleshi, duke firmosur për turqit e Istanbul Basaksehir.