Futbollistët që Feronikeli 74 i transferoi në janar, por nuk arriti t’i regjistrojë shkaku i merkatos së bllokuar kanë nisur të kërkojnë klub të ri.
Feronikeli 74 nënshkroi me gjashtë futbollistë gjatë afatit kalimtar të janarit, të cilët edhe luajtën në fitoren ndaj Trepçës ’89 ndaj Kupës së Kosovës pavarësisht që s’u lejohej ku si pasojë e humbën ndeshjen në tavolinë.
Futbollistët si Fitim Susuri, Donat Hasanaj, Adem Maliqi, Endrit Baholli, Shpresim Zogu dhe Armend Blakçori tashmë kanë nisur të kërkojnë pasi edhe Feronikeli 74 i ka njoftuar se nuk munden t’i regjistrojnë shkaku i merkatos së bllokuar nga borxhi ndaj ish futbollistëve.
Fitim Susuri, ish kapiteni i Lirisë që shënoi golin e vetëm në ndeshjen e Kupës së Kosovës kundër Trepçës ’89, për Gazetën Nacionale ka konfirmuar që është në negociata me disa klube dhe në ditët në vijim e ardhmja e tij do të bëhet zyrtare.
“Po kemi diskutuar me klubin (Feronikelin 74). Jam në bisedime me disa klube dhe në ditët në vijim do të merret vesh përfundimisht e ardhmja ime”, tha shkurtimisht ai duke bërë me dije se do të largohet përfundimisht.
Ndërkohë edhe trajneri i klubit Granit Begolli për Nacionalen ka konfirmuar se futbollistët pritet të bëhen me skuadra të reja, por disa prej tyre po presin nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), që t’iu mundësojë t’i bashkohen ndonjë klubi edhe pasi afati dimëror është mbyllur.
“Po futbollistët pritet të bëhen me skuadra të reja. Lojtarët që kanë ardhur nga Superliga, si Ademi Maliqi dhe Donat Hasanaj iu mundësohet të kalojnë te ndonjë skuadër tjetër edhe pas afatit kalimtar shkaku i kontratave profesioniste që kanë. Endrit Baholli do të rikthehet te Prishtina pasi është në formë huazimi”.
“Ndërsa, lojtarët që kanë ardhur nga Liga e Parë po presin nga FFK-ja që t’ua mundësojë të avancojë të largohen pas afatit dimëror. Pra lojtarët si Susuri, Zogu, Blakçori në rast që nuk largohen atëherë do të vazhdojnë të jenë pjesë e Feronikelit 74 pasi kanë kontratë për një vit e gjysmë”.
“Unë mendoj se nuk do të mbërrijnë në këtë pikë pasi të gjithë janë lojtarë cilësorë dhe kanë oferta bajagi të mira nga klubet e tjera, vetëm janë duke pritur që FFK-ja t’ua mundësojë largimin”, deklaroi ai për Nacionalen.
Afati i bllokuar shkaku i borxhit milionësh ndaj ish futbollistëve
Edhe pse e ndryshuan emrin duke e bërë si fuzionim të klubit, Feronikeli 74 vazhdon t’i mbajë borxhet e ish kampionit të Kosovës, Feronikelit.
Gazeta Nacionale javë më parë siguroi dokumentin ku shihet si FIFA i ka bllokuar merkaton klubit në dy emrat, pra Feronikeli dhe Feronikeli 74.
Shumë futbollistë ndër vite janë ankuar në FIFA dhe ky borxh thuhet se është milionësh, prandaj pa u paguar skuadra nga Drenasi do ta ketë të pamundur të bëjë transferime të reja.
Përndryshe, vazhdon të mbetet ‘mister’ se si klubi u fuzionua me emër të ri por njëkohësisht ende mban trofetë dhe pozitën e klubit të vjetër, pra zhvillon direkt gara në Ligën e Parë.
Kujtojmë, Feronikeli 74 është favoriti kryesor për t’u inkuadruar në Superligën e Kosovës duke qenë lider në Ligën e Parë, grupi A, me 28 pikë, tre më shumë se Istogu dhe Rahoveci që zënë pozitat dy, respektivisht tre.