Llullakun e merr malli për Kombëtare

Mesfushori-sulmuesi nga Kosova, Azdren Llullaku, po shkëlqen në fanellën e skuadrës rumune Gaz Metan. 27-vjeçari në këtë edicion ka arritur që të realizojë 6 gola në elitën e futbollit rumun. Llullaku i cili më parë ka bërë karrierë në Itali, në disa skuadra inferiore, flet për formën e tij në një prononcim për sportal.al. “Jam shumë i kënaqur me paraqitjet që kam bërë në këtë kampionat. Krahas lojës së mirë, kam arritur që ta ndihmojë skuadrën edhe me gola”, shprehet Azdren Llullaku.

Ndërkohë, Gaz Metan pas javës së 24-të në elitën e futbollit në Rumani, zë vendin e 13-të me 24 pikë të grumbulluara. “Më vjen shumë keq që jemi në këtë pozitë, por të gjithë në klub kanë besim se edhe edicionin e ardhshëm do të garojmë në elitë”, vlerësoi Llaullaku. Ai ka kontratë më klubin edhe për një-vit por nuk e përjashton mundësinë që të largohet para skadimit të saj. “Do të bisedojë me presidentin për ta marrë një vendim. Mund edhe të largohem”.

Futbollisti nga Istogu nën epokën e përzgjedhësit Gianni De Biasi, është ftuar në Kombëtare por nuk ka arritur që ta shijojë debutimin si kuqezi. “Kombëtarja po më mungon shumë, shpresoj se shumë do të kthehem shpejt”, përfundoi Azdren Llullaku.