‘Llapi im një ndër pesë ekipet më të organizuara në Kosovë’

Padyshim që Llapi është një ndër klubet më të organizuara në Ligën e Parë.

Ky ekip po kërkon që të inkuadrohet në Superligë, në mënyrë që treva llapjane, të ketë një skuadër në rangun elitë.

Llapi të hënën ka udhëtuar për përgatitjet 10-ditore në Shqipëri.

Trajneri Tahir Batatina, flet për GazetënOlle‘. “Pres që çdo gjë të shkojë mirë. Stërvitjet do t’i kryejmë në një stadium me bari natyral teksa në Shqipëri, do të qëndrojmë 10-ditë. Do të luajmë edhe disa ndeshje miqësore, gjithsej gjashtë sosh. Kemi aranzhuar takime si me Besën e Pejës, Dritën, Gjilanin dhe Feronikelin“, ka thënë Tahir Batatina duke folur edhe për synimet e Llapit.

“Synime janë të qarta, inkuadrimi në Superligë. Mendoj se Llapi është një ndër katër klubet më të organizuara në Kosovë“, pohoi ai.

Shpend Krasniqi, Visar Zogiani, Ilir Blakqori dhe Arbër Sylejmani i janë bashkuar Llapit kurse nga ekipi janë larguar, Emir Rama, Faton Zejnullahu, Fidan Osmani dhe Burim Zhjeqi.

Llapi në vjeshtë tuboi 34 pikë dhe përfundoi në vendin e parë.