Liverpooli vazhdon të turpërohet, asiston Valon Behrami

Liverpooli nuk i ka bërë ballë Watfordit në Vicarage Road, ku ka pësuar me rezultat 3-0.

Skuadra nikoqire ishte mbresëlënëse në pjesën e parë, gjatë të cilës shënoi dy gola. Një gabim të pafalshëm të portierit Bogdan, të cilit i ra topi nga duart, e shfrytëzoi Nathan Ake për epërsinë e vendasve (3’).

Odion Ighalo mori një top nga Deeney dhe u tregua më i fortë se Skrtel, para se ta dërgonte topin në rrjet (15’).

Ighalo nga njëra anë dhe Henderson nga ana tjetër, patën raste të mira në gjysmën e dytë, porse mungoi konkretizimi.

Dhe kur po afrohej fundi i takimit, Odion Ighalo realizoi golin e dytë personal (85’) që erdhi falë asistimit të Valon Behramit.

Kjo humbje e lë Liverpoolin në pozitën e nëntë në tabelë (24 pikë), dy vende me poshtë se Watfordi që numëron 28 pikë.