Liridon Leci i jep fund karrierës së pasur dhe të lavdishme, tregon cilin klub dhe tifozëri i cilëson si më të veçantët

Liridon Leci i ka dhënë fund karrierës së pasur dhe të lavdishme. Futbollisti kosovar ka thënë “mjaft” pas më shumë se dy dekadash. Lëndimi i fundit ia pamundëson atij të vazhdojë ta bëjë atë që di ta bëjë më së miri.

36 vjeçari e pranon se është i mërzitur pasi po ndahet përkohësisht nga profesioni që e rriti si sportist dhe si person. Ish-përfaqësuesi i Kosovës dhe i Shqipërisë ka vendosur t’i hyjë politikës, ndërsa në të ardhmen atë mund ta shohim në rolin e trajnerit të futbollit.

Pas më shumë se 25 vjetësh, mbrojtësi karizmatik tha “mjaft”.

36 vjeçari u detyrua ta mbyllë karrierën përfundimisht pas lëndimit të rëndë që e pësoi vitin e kaluar.

Edhe pse u operua, dhimbjet në këmbën e tij ia pamundësojnë atij që të vazhdojë të luajë futboll.

Dhe, derisa s’është bërë vonë, ai e mori vendimin më të vështirë të jetës.

“Para se të më lërë mua futbolli, e lash unë atë. Është një vendim i vështirë, jam i mërzitur pasi kam luajtur për më shumë se dy dekada. Por, dhimbjet në këmbë ma pamundësojnë të vazhdoj”, shprehet Leci, i cili e zbuloi vendimin e tij ekskluzivisht për “Gazetën Express”.

Pasi u nda nga Llapi, atë e kishin vërshuar ofertat, por më nuk ishte në gjendje të luante në nivele të larta, siç jemi mësuar ta shohim gjithmonë.

“Kam pasur oferta nga klubet e Superligës, por emra s’dua të zbuloj. Por, më mirë të largohem tash dhe të më kujtojnë të gjithë për karrierën e pasur dhe formën e mirë. Nuk desha të rrezikoja, shëndeti mbi të gjitha”, shton tutje futbollisti kosovar.

Për shkak të temperamentit të tij, maksimumit që e jepte në çdo ndeshje dhe provokimit ndaj rivalëve, ai ka qenë gjithmonë i dashur nga tifozët dhe zyrtarët e klubeve ku ka luajtur.

E mbi të gjitha, ai e ka veçuar eksperiencën në Dritë si më të mirën, posaçërisht i lavdëroi tifozët “Intelektualët”, të cilët i konsideron si më të veçantit në karrierën e tij të pasur.

Ndër të tjera, ai ka luajtur në klubet si Kosova e Prishtinës, Prishtina, Hajvalia e Llapi në Kosovë, para se të transferohej në Shqipëri, ku kishte luajtur për Elbasanin, Flamurtarin e Vlorës, Besën e Kavajës, Vllazninë e Shkodrës dhe Kastriotin e Krujës.

Leci e pati një eksperiencë disavjeçare edhe në Suedi, ku kishte luajtur për Kalmarin dhe Landskronan.

Leci ka luajtur edhe për ekipin kombëtar të Kosovës. Gjithashtu, ishte pjesë e ekipit U-21 të Kombëtares shqiptare.

Po ashtu, e ka zhvilluar një ndeshje edhe me Kombëtaren A shqiptare.

Leci gjatë karrierës ka luajtur si qendërmbrojtës dhe mbrojtës i majtë.

Ai zbulon se është duke i ndjekur kurset dhe momentalisht është i pajisur me Licencën C të trajnerit.

Në të ardhmen, atë mund ta shohim përsëri në stadium, por jashtë vijave të fushës.

“Unë nuk mund ta paramendoj veten larg futbollit. Jam duke u shkolluar për trajner. Në të ardhmen e shoh veten duke punuar dhe duke e udhëhequr ndonjë ekip, pse jo në Superligë”, zbulon tutje Leci për “Gazetën Express”.

Leci aderon në PDK, kandidon për asamblist të Prishtinës

Menjëherë pasi e mbylli karrierën e suksesshme si futbollist, ku nuk i munguan trofe të shumtë, Leci e mori një ofertë interesante.

Së fundmi, atij iu dha mundësia t’i futej botës së politikës dhe një ofertë të tillë nuk mundi ta refuzonte.

Leci iu bashkua Partisë Demokratike të Kosovës.

Ndër të tjera, ai do të jetë kandidat për asamblist në Kuvendin Komunal të Kosovës.

Leci do të kandidojë me numrin 13, të cilin e konsideron si numër të veçantë dhe të shenjtë pasi e ka mbajtur gjithmonë në fanellë.

Ai shpreson që të jetë pjesë e Kuvendit Komunal në katër vjetët e ardhshëm dhe të ndihmojë sa të mundet në postin e ri.

 

Momenti kur pjesëtari i stafit të Marseille godet tifozin me grusht (Video)

‘Çmenduri’, ja sa pak para do të kërkojë Juventusi për shitjen e Ronaldos