Liria mban Kuvendin e Punës, propozon Fitim Krushën për kryetar të LR Prizrenit

Liria e Prizrenit duket sa ka nisur të marrë vetën me shpresë se do të gjejë mënya për t’u organizuar më mirë dhe në këtë formë të rikthehet përsëri në majat e futbolli.

Dje Liria FC përmes “Facebookut” ka njoftuar se e ka mbajtur kuvendin e saj ku në bord ka sjellë ish futbollistin e mirënjohur Fitim Krusha si dhe anëtarët tjerë Ilir Bytyqi, Zenel Luma, Bekim Elshani, Agim Biraj dhe Kujtim Tabaku.


Njoftimi i plotë i Liria FC:

Mbrëmë ne ambientet e Kuvendit Komunal të Prizrenit u mbajt mbledhja e kuvendit të klubit, ku edhe u diskutuan disa tema të rëndësishme për të ardhmen e klubit si dhe të futbollit në përgjithësi.

Me të filluar mbledhja dhe përcaktimit të rendit të ditës që u votua unanimisht, u propozuan disa anëtarë të rinj për kuvend gjë që u miratuan nga kuvendi dhe tani e tutje kuvendi u pasurua edhe me ish-lojtarët tanë Fitim Krusha, Ilir Bytyqi, Zenel Luma, Bekim Elshani, Agim Biraj dhe Kujtim Tabaku.

Temë shumë e rëndësishme ishte edhe plotësim-ndryshimi dhe harmonizimi i statutit të klubit me ligjin e ri mbi organizatat jo-qeveritare dhe disa nene ku ka paqartësi në statut. Ndërsa nga të gjitha këto dhe ku u koncetrua debati ishte statusi juridik i klubit ku pas debateve të ndryshme në mes anëtarëve të kuvendit u vendos që të angazhohet një firmë profesionale dhe të bëhet thirrje publike mbi mënyrën më të mirë të mundshme për privatizimin e klubit.

Krejt në fund u mor vendim që KF Liria në zgjedhjet për kryetar të LRFP( Lidhjes regjonale të futbollit në Prizren) ta përkrah kandidaturën e ish-kapitenit të saj Fitim Krusha.

Gjithashtu falënderojmë prezencën monitoruese të zyrtares së DKRS-së dhe mbështetjen pa rezervë të zyres së kryetarit të komunës.