Liria dëshiron vetëm fitore

Futbollistët e Lirisë të dielën zhvillojnë ndeshjen më të rëndësishme të kampionatit, të dielën në ‘Përparim Thaçi’, me Llapin.

Kjo ndeshje është cilësuar si derbi i stinorit, ku përballen dy pretendentët për titull kampioni, Liria e Llapi.

Të premtën futbollistët zhvilluan stërvitjen e fundit para kësaj sfide.Ndërsa, të shtunën lojtarët do të kenë pushim. “Të enjten patëm ndeshje me Deçanin dhe sot kemi zhvilluar stërvitjen e fundit, kuse të shtunën u kemi dhënë pushim lojtarëve ngase tërë java ka qenë me  ngarkesë. Sa i takon ndeshjes me Llapin, pres angazhim maksimal dhe fitore. Llapi ka cilësi, por ne kemi pos cilësisë edhe mbështetjen e publikut, që po na përkrah vazhdimishtë, e që të dielën do të jenë besoj në numër rekord. Pos fitores, ku do të tregojmë vlerat si ekip, ne synojmë që të kënaqim adhuruesit e lojës së futbollit dhe të përafrohemi dhe më shumë me Superligën”, ka thënë kryetrajneri Skender Shengyli për ‘liriafc.com’.

Nga tabori ‘bardhezi’, bëhet e ditur se nuk ka asnjë mungesë. Pra, skuadra do të jetë komplete. Dyshaj Fetahaj-Gashi, poashtu është optimiste se fitorja do të jetë e Lirisë. “Pres me padurim këtë sfidë. Pikët do të jenë tonat’, ka thënë Fetahaj.

Ndërkaq, Qëndrim Gashi, që ka shpërthyer në këtë edicion, poashtu  shfaqet optimist. ”Nuk kemi asnjë kalkulim tjetër pos fitores. Jemi skuadër më e mirë dhe me ndihmën e publikut do të tregojmë se kush është lideri”, ka thënë ai.

Ndeshja, Liria-Llapi, zhvillohet të dielën në Prizren, në ora 15.00 dhe drejtohet nga gjyqtari Bajram Gashi.