Njëri ndër lojtarët më të spikatur të kampionatit tonë padyshim është mesfushori i Ballkanit, Lindon Emërllahu, i cili mungoi në ndeshjen ndaj Lincoln Red Imps për shkak të një dëmtimi.
20 vjeçari pas ndeshjeve të mira në edicionin e shkuar dhe këtë edicion që sapo ka filluar, ka fituar zemrat e tifozëve të futbollit vendor, ndërsa ka bërë vend në formacionin bazë edhe te Kosova U21, ndërsa më parë është ftuar edhe te Kosova A.
Ofertat në drejtim të tij kanë qenë të shumta, por duket se as këtë vit ai nuk do të lëvizë nga Ballkani, shkak për këtë është bërë edhe dëmtimi i pësuar para disa ditësh.
Në një intervistë për Telegrafin, Emërllahu ka folur për ndeshjen ndaj Lincoln që kësaj here e shikoi si tifoz i flaktë nga tribunat, lëndimin e tij, të ardhmen dhe mundësinë e Ballkanit që të shkojë edhe këtë vit në grupet e Ligës së Konferencës.
Fillimisht ai u ndal te ndeshja e fituar me rezultat 2-0 ndaj Lincoln Red Imps nga Gjibraltari në kuadër të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
“Ndeshja ishte mjaft e mirë. Kontrolluam lojën gjatë gjithë takimit dhe kishim shanse që të bënim më mirë, por edhe fusha nuk ishe ne niveli e duhur. Por edhe përkundër kësaj, skuadra tregoi karakter dhe shënojë dy gola. Për mua si i dëmtuar, ishte e vështirë ta shikoja lojën nga lartë, pasi nuk isha mësuar kështu, por futbolli i ka edhe këto. Mund të them që isha shumë i emocionuar mbrëmë derisa e shikoja ndeshjen”, ka thënë fillimisht Emërllahu për Telegrafin.
Tutje mesfushori i spikatur që njihet për organizmin e shkëlqyer të lojës, por edhe ndërprejen e aksioneve, ka treguar se lëndimi që ka pësuar do ta mbajë jashtë për një muaj e gjysmë, ndërsa foli edhe për afatin kalimtar, pasi në drejtim të tij kishte shumë oferta.
“Sa i përket lëndimit do të mungoj një muaj e gjysmë. Do të kem disa kontrolle mjekësore këto dite dhe pastaj do të fillojmë me terapi. Pasi të kryhen këto do të kthehem edhe më i fortë. Sa përket transferimit tim, nuk besoj që do të lëvizi në këtë afat kalimtar”, nënvizoi mesfushori.
Krejt në fund therandasi u ndal te gjasat e Ballkanit për play-off, pasi duke i parë rezultatet nga ndeshjet e para, kampioni ynë nëse nuk ndodh ndonjë befasi e madhe do të luajë ndaj Bate Borisov për një vend në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
“Besoj se me këtë grup lojtarësh që kemi dhe me stafin teknik shumë profesional, do ta përsërisim sërish historinë e vitit kaluar. Fillimisht duhet ta përfundojmë këtë ndeshje e kthimit me sukses pastaj të mendojmë për ndeshjen e play offit”, përfundoi Emërllahu.
Ballkani në fundjavë luan ndaj Lirisë në kuadër të javës së parë të Superligës së Kosovës, pastaj në mesjavë do të udhëtojë për në Gjibraltar për ndeshjen kthyese ndaj Lincoln.