Limani me dedikim special për golin ndaj 89-shit

Mensur Limani shkëlqeu në ndeshjen e parë nën fanellën e Dritës, pas transferimit te gjilanasit në afatin kalimtar të janarit. Ai shënoi një gol, duke u bërë ndër më meritorët për triumfin e bardhekaltërve ndaj Trepçës ’89, 3:2.

Limani ka një dedikim special për golin, duke thënë se e shënoi për të fejuarën e tij.

“Golin ia dedikoj të fejuarës sime. Po ashtu edhe numrin që e kam në fanellë (21), është ditëlindja e nuses sime. Jam shumë i lumtur për këtë fitore, e cila është shumë e rëndësishme duke marrë parasysh se çfarë skuadre ka 89-shi”, deklaroi Limani për Gazetën Olle.

Ai zbulon objektivat me Dritën, duke thënë që gjilanasit duan t’i ikin edhe barazhit.

“Synimi kryesor është që t’i ikim barazhit dhe të shkojmë sa më larg në kupë. Por, duhet të punojmë shumë dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë. Kemi një staf profesionist dhe nëse vazhdojmë kështu, s’besoj që do të kemi probleme”, përfundoi Limani.

Me këtë fitore, Drita renditet e teta në tabelë me 20 pikë të tubuara. /Gazeta Olle