Limani flet për aventurën te Shkëndija dhe ambientimin në kampionatin maqedonas

Tri herë kampioni i Kosovës me Feronikelin e Dritën, Ardian Limani la Kosovën për një aventurë të re në futbollin maqedonas.

29-vjeçari, i cili së fundmi kaloi një periudhë 6-vjeçare te Drita – aty ku ishte edhe kapiten – iu bashkua Shkëndijës së Tetovës gjatë kësaj vere, me të cilën ka nënshkruar kontratë deri më 2025.

E për aventurën e re në klubin tetovar, foli vet Ardian Limani i cili në një intervistë ekskluzive për Gazeta10 tregoi për fillim sezonin e Shkëndijës në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut.

Sezonin e kemi nisur shumë mirë. Kemi 4 fitore në 4 ndeshjet e para dhe kjo seri ishte e mirëseardhur pas një periudhe të vështirë pas eliminimit nga garat evropiane.” – tha mbrojtësi nga Kosova.

Te Shkëndija, Limani u ribashkua me ish-trajnerin e tij te Drita, Ardian Nuhiu, gjersa pati disa fjalë për të.

Bashkëpunimi përsëri me trajnerin Nuhiu më ndihmon shumë sepse e njohim njëri-tjetrin dhe është përparësi për të dy.” – vazhdoi ai.

Tutje, ish-kapiteni i Dritës foli për adaptimin e tij me ligën në një shtet tjetër, pasi që tërë karrierën e tij e kishte kaluar në Kosovë.

Thënë të drejtën ende konsideroj se jam në fazën e adaptimit me skuadrën e re dhe ambientin përreth. Nuk është fare e lehtë kur ndërron ambient apo edhe kampionat tjetër pas 6 viteve te kaluara tek skuadra e Dritës. Kam kaluar nje fillim shumë të vështirë, por ngadalë po e marr veten dhe në vazhdim do të kërkoj ta rris formën që të dëshmoj që mund të jap më të mirën.

Limani potencoi edhe dallimet ose ngjasitë që ekzistojnë mes futbollit në Maqedoninë e Veriut e atij në Kosovë.

Sipas meje liga e Maqedonisë së Veriut është afërsisht e njejtë me atë të Kosovës, mirëpo problemi tek të dyja qëndron në infrastrukturë. Megjithatë të dyja kanë kualitet të lartë të futbollistëve dhe sidomos Shkëndija është për çdo lavdatë.” – ishte përgjigja e Limanit.

Për fund, futbollisti nga Kosova bëri me dije objektivat e tij në të ardhmen në aspektin individual dhe atë kolektiv me Shkëndijën.

Objektivat te Shkëndija dihen gjithmonë. Synojmë titullin kampion dhe kupën. Mendoj që kemi kualitetin e duhur dhe mbrapa kemi tifozë të shumtë që na perkrahin, andaj neve na mbetet të luftojmë shumë dhe të rritemi çdo ditë.” – përfundoi ai.

Shkëndija momentalisht është e para në tabelën e elitës së futbollit maqedonas me 12 pikë të tubuara pas 4 ndeshjeve. Tetovarët kanë një ndeshje më pas, kjo pasi ndeshja me Strugën është shtyrë për një datë tjetër, pasi këta të fundit po paraqiten në kualifikimet evropiane.

Etrit Berisha bëhet me skuadër, megjithatë mbetet në Serie A

Kreshnik Hajrizi ftohet nga Kosova për ndeshjet ndaj Zvicrës dhe Rumanisë