“Liga e Shkollave të Mesme” është risia e FFK-së me Komunën e Prishtinës

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, sot është takuar me zyrtar të Komunës së Prishtinës për të diskutuar në lidhje me një projekt që ka të bëj me ofrimin e mundësive që të rinjtë e shkollave të mesme të përfshihen në futboll. “Liga e Shkollave të Mesme” është një projekt pilot që do të fillojë të zbatohet në shkurt të vitit 2024. Fillimisht, kjo ligë do të përfshijë 14 shkolla të mesme të Komunës së Prishtinës.

Postimi i plotë nga Federata e Futbollit të Kosovës:

Presidenti Agim Ademi ka pritur sot në selinë e FFK-së, nënkryetaren e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu si dhe Drejtorin e Sportit, Granit Rugova. Shkak i këtij takimi ka qenë iniciativa e rëndësishme që do të ndryshojë peizazhin e futbollit të shkollave të mesme në Kosovë – Liga e Shkollave të Mesme.
Ky projekt është një nismë e Komunës së Prishtinës në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës.
Federata, gjithmonë e përkushtuar ndaj sportit të rinisë dhe të shkollave, është e hapur për të mbështetur projekte inovative të këtij lloji. “Liga e Shkollave të Mesme” është një projekt pilot që do të fillojë punën tani dhe zbatimi i saj fillon në shkurt të vitit 2024.
Përfaqësuesit e komunës thanë se ideja e këtij takimi është ofrimi i mundësive që të rinjtë e shkollave të mesme të përfshihen në futboll.
Presidenti Ademi tha se është gjithmonë i hapur për të mbështetur komunën në projekte të tilla, ku u jepet mundësia të rinjve të jenë pjesë e futbollit.
Fillimisht, kjo ligë do të përfshijë 14 shkolla të mesme të Komunës së Prishtinës, duke ndihmuar kësisoj në promovimin e aftësive sportive tek të rinjtë.
Të dyja palët shprehën shpresën që, me kalimin e kohës, ky projekt do të zgjerohet për të përfshirë edhe shkollat fillore, në mënyrë që të inkurajojë më shumë të rinjtë për t’u aktivizuar në futboll dhe në sport në përgjithësi.
Kreu i FFK-së theksoi se do të vazhdojnë të mbështesin dhe të bashkëpunojë ngushtë me Komunën e Prishtinës në iniciativa të tilla sportive.
Shkollat që do të marrin pjesë në këtë projekt janë: Sami Frashëri, Xhevdet Doda, Eqrem Çabej, Dr. Ali Sokoli, 28 Nëntori, Shtjefen Gjeqovi, Hoxhë Kadri Prishtina, 7 Shtatori, Abdyl Frashëri, Prenk Jakova, Gjin Gazulli, Alauddin, Gjimnazi Matematikor, Sami Frashëri II.

Silvinjo tregon si qëndron e vërteta me Brojën

Strakosha: Jemi të bashkuar dhe kemi rezultate, ne jemi gati për çdo ndeshje