Xhiroja e 16-të në Ligën e Parë të meshkujve do të sjellë disa ndeshje interesante, ku sfida kryesore do të zhvillohet ndërmjet Vushtrrisë dhe Vëllaznimit.
Vushtrriasit ndodhen në vendin e dytë, me dhjetë fitore e pesë humbje, kurse kuqezinjtë kanë 15 fitore në po aq ndeshje të zhvilluara, duke marshuar me hapa të sigurt drejt elitës së basketbollit.
Skuadra nga Gjakova edicionin e kaluar ishte pjesë e Superligës, ndërsa do të rikthehet pas një viti në Ligën e Parë.
Në takimet tjera, Prishtina e Re do të ndeshet me Happy Dukagjinin. Prishtinasit kanë nëntë fitore e gjashtë humbje, ndërsa klinasit gjashtë fitore e nëntë humbje.
AS Prishtina do të ballafaqohet me New Basket. Prishtinasit kanë pesë fitore e dhjetë humbje, ndërkohë që prizrenasit kanë nëntë fitore e gjashtë humbje.
Borea do të përballet me Marigona Hill Prishtinën. Pejanët kanë shtatë fitore e tetë humbje, kurse prishtinasit katër fitore e 11 humbje.
Në takimin e fundit do të ndeshen Feronikeli me Istogun.
Drenasi ka vetëm një fitore e 14 humbje, ndërsa istogasit kanë nëntë fitore e gjashtë humbje.