Lëvizja e madhe e Milanit

Stephan El Shaarawy pritet t’i thotë lamtumirë Milanit, për t’iu bashkuar Monacos në kampionatin francez. Klubi i Principatës, pasi zyrtarizoi shitjen e 21-vjecarit belg Ferreira Carrasco tek Atletiko e Madridit për 15 milionë Euro, është hedhur në sulm për të siguruar shërbimet e 22-vjecarit kuqezi, i  cili është rritur në Genoa.

Milani nuk e konsideron të pashitshëm për shkak të vështirësive që po has sulmuesi për t’u përshtatur në skemat taktike të trajnerit Mihajlovic.

Klubi kuqezi e vlerëson 15-20 milionë Euro, shifër kjo jo shumë larg asaj që francezët janë gati të shpenzojnë për futbollistin. El Shaarawy mësohet se ka dhënë miratimin për këtë transferim, ndaj marrëveshja mund të mbyllet shumë shpejt.

Nëse “Faraoni” largohet për në “principatë” Milani do të siguronte paratë për t’i shkëputur Romës Alessio Romagnolin, që është dhe kërkesa e parë e Sinisa Mihajlovic. Trajneri serb i vlerëson shumë cilësitë e djaloshit 20-vjecar, pasi e ka patur nën urdhrat e tij sezonin e kaluar në radhët e Sampdorias, ku qendërmbrojtësi luajti në formën e huazimit.