Leotrim Bekteshi: Radhën e ka Arbëria!

Nuk kishte se si të niste më mirë edicioni ri për Leotrim Bekteshi, mbrojtësin e FC Prishtinës, i cili realizoi gol në duel ndaj Drenicës dhe i ndihmoi skuadrës së tij të triumfonte ndeshjen me rezultat 3-0.

Në një prononcim për faqen zyrtare të klubit, mbrojtësi mitrovicas u shpreh i lumtur me golin e realizuar, derisa shpreson që të vazhdojnë me këtë ritëm edhe në ndeshjet e radhës.

“Ishte lojë e mirë, patëm tentime dhe po krijonim raste dhe fati deshi që ndeshjen ta ç’bllokojmë nga ajo gjuajtje standarde. Pas këtij shënimi tim, ndeshja u hap edhe më shumë ku në fund edhe me dy gola tjerë besoj që i morëm pikët me meritë”, deklaroi Bekteshi.

“Duhet të vazhdojmë tutje, të harrojmë këtë ndeshje dhe të përqendrohemi për Arbërinë që nuk besoj ta kemi të lehtë, por me qëllim të njëjtë sikurse sot të kthehemi me tre pikë”, shtoi ai.

Pikërisht në ndeshjen e xhiros së dytë ekipi i Prishtinës do të përballet me Arbërinë në stadiumin “Agron Rama” të Obiliqit.