Latifi: Skënderbeu arrin në rrethin e tretë

Mesfushori kosovar, Liridon Latifi, shpreh bindjen për kalimin e turit nga skuadra e tij.

Atij nuk i bën aspak përshtypje kundërshtari i 14 korrikut. Periudha e deritanishme në Austri, për një pjese të mirë të futbollistëve kampionë komentohen si mjaft e suksesshme, pasi i ka shërbyer shumë skuadrës për Championsin. Pjesa më e madhe e korçarëve, për të mos thënë të gjithë, shprehen të bindur se Skënderbeu do të kualifikohet në Champions.

Këtë e thotë edhe mesfushori me tipare sulmuese, Liridon Latifi, kosovari që ka bërë një paraqitje të shkëlqyer në fundin e sezonit të kaluar me bardhekuqtë, por edhe gjatë miqësoreve të fundit.

Dje Latifi ka folur nga Austria për “Sport Ekspres” dhe ka theksuar se për Skënderbeu nuk ka aspak rëndësi se cili do të jetë kundërshtari.

“Dua ta nis me atë se po bëjmë një përgatitje shumë të fortë dhe mendoj që ekipi po ecën vërtet mirë. Kemi pësuar disa humbje radhazi në miqësore dhe ndoshta të gjithëve u ka bërë përshtypje, por unë them se nuk duhet të shqetësohemi. Shkaku kryesor ka të bëjë me lodhjen e madhe nga ngarkesa në stërvitje, pasi në fokusin tonë është data 14 korrik dhe jo miqësoret. Këto teste na kanë shërbyer shumë, pasi kemi parë edhe gjendjen tonë në momentet e fazës përgatitore, por deri më 14 korrik ju garantoj se do të jemi shumë të freskët dhe do të shikoni Skënderbeun e vërtetë”, tha Latifi.

“Kam shumë besim se do t’i arrijmë qëllimet tona këtë verë. Kemi një skuadër vërtet të mirë dhe kushdo qoftë ekipi që do të kemi përballë, estonezët apo irlandezët, do t’i eliminojmë dhe do të jemi ne ata që do të shkojmë në turin e tretë të Championsit. Nuk na tremb asnjë nga emrat, pasi edhe ndeshjen e parë mes tyre e kemi parë dhe, si Krusadersin ashtu edhe Levadianë, i pret eliminimi,” – shprehet një nga kosovarët më të talentuar të Skënderbeut, njëkohësisht edhe futbollisti i ekipit tonë kombëtar U-21, Liridon Latifi.