Lamtumira e legjendës

Hendbolli kosovar do të mbetet pa një legjendë. Arben Muqolli ka thënë “mjaft” dhe do të përshëndetet nga hendbolli në fund të këtij sezoni, me një bagazh super të pasur. Edhe pse afër 43 vjeç, thotë se do të luante pa problem edhe 2-3 vjet në hendbollin e lodhur të Kosovës. Mirëpo, veterani pejan konsideron se i dha mjaft këtij sporti dhe tash po mendon për punën e re – atë të trajnerit

Hendbolli kosovar do të mbetet i mangët nga sezoni i ardhshëm: me 10 tituj e 8 kupa (me Besën e Prishtinën), Arben Muqolli thotë “boll ma”! Hendbollisti pejan ka vendosur të pensionohet, duke i dhënë fund karrierës së lavdishme, të mbushur me trofe. Veterani i hendbollit fitoi gjithçka që mund të fitohet në Kosovë, prandaj konsideron se ka ardhur koha t’i thotë lamtumirë sportit që luhet me duar.

Edhe pse shpejt pritet t’i mbushë 43 vjet, Muqolli ishte edhe këtë sezon ndër hendbollistët më të mirë në Ligë dhe e ndihmoi ekipin e tij, Besa Famiglia, atëherë kur pati nevojë. Mirëpo, çdo fillim e ka edhe fundit, kështu që edhe epoka Muqolli merr fund këtu.

“Unë kam menduar edhe më herët të ndalesha, sidomos vitin e kaluar, por insistuan që të luaja edhe një sezon. Dhe, këtë do ta bëj në momentin e duhur, në mënyrën më të mirë të mundshme, me dy kupa, njëjtë siç i fituam edhe sezonin e kaluar”, thotë Muqolli për “Zërin”.

“Në hendbollin kosovar, ku cilësia është mjaft e dobët dhe i cili e ka marrë teposhtëzen, do të luaja pa problem edhe 2-3 vjet, në nivele të larta madje. Mirëpo, vendosa të tërhiqem pasi tash është koha e gjeneratave të reja dhe nuk do të ishte e hijshme që të kem zënkë për shembull me një lojtar 18 vjeç”, vijon ai.

 Ndoshta luan veç në Evropë

Muqolli tregon se do të vazhdojë të ushtrojë individualisht për ta ruajtur formën. Dhe, ai zbulon se është në gjendje gatishmërie për ta ndihmuar Besën, kurdo që ajo ka nevojë, por vetëm me një kusht.

“Në hendbollin kosovar nuk do të luaj më. Vetëm nëse kanë nevojë t’ju ndihmoj në Evropë, këtë do ta bëja, pasi jam në gjendje të luaj ende”, vijoi Muqolli. Ai ka treguar se për nder të karrierës së tij të suksesshme, pritet të organizohet një ndeshje revyale, përshëndetëse. Muqolli konsiderohet si lojtari më i mirë në hendbollin e pasluftës, por ai tregohet modest dhe nuk e pohon një gjë të tillë, duke shtuar se ky është mendimi i të tjerëve, të cilët flasin çka kanë parë, shkruan Zëri.

 Besa, e pakonkurrencë

Besa vazhdon ta dominojë hendbollin kosovar. Mungesa e konkurrencës, sipas Muqollit, ka bërë që skuadra pejane ta thotë fjalën kryesore. Mirëpo, një gjë e tillë nuk po ndodh edhe në garat evropiane, ku kjo skuadër nuk ka pasur suksese viteve të fundit.“Ajo që na ka bërë neve dominues viteve të fundit është familja Idrizi, pasi Besa nuk do të ishte aq e fortë pa sponsorin Famiglia. Për këtë edhe jemi pa konkurrencë. Ne luajtëm mirë në sezonin e fundit në Evropë, por nuk mund të jemi të fortë aty kur s’kemi konkurrencë në ligën vendore. Ne kemi rënie pasi nuk kemi ndeshje të forta në Kosovë, është hajgarellëk në Kosovë”, shpjegon Muqolli për Zërin.

 E sheh veten si trajner

Tash, pasi ka vendosur t’i japë fund karrierës, Muqolli e sheh veten si trajner. Momentalisht është ndihmëstrajner, por në të ardhmen mendon ta marrë në dorë ndonjë ekip, pse jo edhe Përfaqësuesen e Kosovës. “Pse jam lojtar i mirë, s’do të thotë se do të jem edhe trajner i mirë. Mirëpo, do t’ia bëj hyzmetin dhe do të provoj. Pasi ta marr licencën, do ta udhëheq ndonjë ekip”, përfundoi ai.