Lajme të këqija për Prishtinën

Prishtina në fundjavë do të ketë ndeshjen më të vështirë këtë vit në kuadër të Raiffeisen Superligës. Bardhekaltërit që nuk njohin rezultat tjetër përveç fitores në kampionat, do të udhëtojnë të dielën në Gjilan, për t’u përballur me Dritën.

Mirëpo, fitorja ndaj Drenicës 3:0, ka lënë pasoja. Lojtari më i mirë i tyre, Mentor Zhdrella ka plotësuar numrin e tre kartonëve të verdhë, për çka i duhet të pushojë në njërën nga dy takimet e ardhshme.

Pas Dritës, Prishtina pret Hajvalinë, dhe bazuar në këta dy kundërshtarë, trajneri Bylbyl Sokoli me gjasë do ta pushojë Zhdrellën në Gjilan.

Krahas Mentorit, edhe Gentrit Begolli, që shënoi golin e tretë ndaj Drenicës, pësoi lëndim muskulor.

Të lënduar janë edhe dy mesfushorët Betim Haxhimusa e Bashkim Shala, të cilët ende nuk dihet nëse do të jenë të aftë për sfidën e së dielës. (Gazeta Olle)